Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se ka nisur cikli i ligjëratave profesionale për infermierët e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të komunave të Rajonit të Pejës, si dhe për infermierët e këtij institucioni shëndetësor.
Sipas njoftimit, programi i trajnimeve do të zhvillohet nga 5 qershori deri më 3 korrik dhe synon avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të personelit infermieror.
Në ditën e parë të trajnimit janë trajtuar tema që lidhen me menaxhimin e arrestit kardiak dhe reanimimin kardio-pulmonar, menaxhimin e traumës dhe shokut hemorragjik, si dhe higjienën personale në shëndetësi dhe përdorimin e dorezave.
Gjatë javëve në vijim, pjesëmarrësit do të ndjekin ligjërata mbi urgjencat mjekësore, kujdesin infermieror dhe komunikimin profesional. Temat përfshijnë vetkujdesin, goditjen termike dhe hipoterminë, urgjencat tek personat e moshuar, lëndimet traumatike të shtyllës kurrizore, menaxhimin e dhimbjes, urgjencat respiratore, reaksionet alergjike dhe anafilaksën, insultin cerebrovaskular, urgjencat metabolike, llojet e shokut, si dhe dallimet diagnostike ndërmjet rezonancës magnetike dhe tomografisë kompjuterike.
Sipas Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, ligjëratat do të mbahen nga specialistë të fushave të ndryshme mjekësore dhe profesionistë shëndetësorë me përvojë.
Programi synon përditësimin e njohurive profesionale dhe forcimin e kapaciteteve të infermierëve në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.


