Një 64-vjeçar gjendet i vdekur në një pusetë në Prishtinë

2017-03-07 në ora 10:24

Një 64 vjeçar është gjetur mbrëmë i vdekur në një pusetë në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë.

Deri tek gjetja e trupit të pajetë erdhi pasi forcat e rendit rreth orës 21:30 kishin pranuar një informacion se një person kishte  dalë nga shtëpia e tij, që nga ora 10:30 dhe nuk ishte kthyer më.

“Me të marrë informacionin, njësitet e nevojshme policore, kanë ndërmarrë një varg veprimesh operative për gjetjen e personit në fjalë, të cilin pa shenja jete e kanë gjetur në rrugën në “Xheladin Hana” në Prishtinë, saktësisht në një pusetë.

Sipas policisë, vdekjen e  personit me inicialet Sh. D. e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë ë Ligjore për obduksion, ndërkohë që me rekomandim të Prokurorit të Shtetit është hapur rasti “Vdekje në rrethana të dyshimta”.

Ndërkaq, policia është duke e hetuar rastin.