Fotoreporteri i njohur Xhemail Sllovinja ka prezantuar ekspozitën e tij më të fundit, të titulluar “Një botë për të gjithë”, që sjell në fokus jetën dhe personalitetin e personave me sindromën Down.
Përmes portreteve të ndjeshme dhe artistike, Sllovinja tregon bukurinë, forcën dhe autenticitetin e individëve të prekur nga kjo sindromë, duke i vënë ata në qendër të një bote ku diversiteti dhe dallimet janë të pranuara dhe të festuara, shkruan Gazeta Shneta.
Autori ka falënderuar Europe House Kosovo për mbështetjen dhe mundësinë e përdorimit të hapësirës për këtë ekspozitë.
“Hapja e ekspozitës ‘Një botë për të gjithë’ ishte një moment i fuqishëm i diversitetit dhe gjithëpërfshirjes,” ka theksuar Sllovinja.
Ekspozita do të jetë e hapur gjatë gjithë muajit tetor, i cili njihet globalisht si muaji i ndërgjegjësimit për personat me sindromën Down, dhe fton publikun të reflektojë mbi pranimin, respektin dhe vlerësimin e secilit individ ashtu siç është./Gazeta Shneta/





