Një fëmijë në Qarkun e Los Angeles ka vdekur nga një çrregullim i rrallë i trurit i shkaktuar nga një infeksion i fruthit në foshnjëri, njoftuan zyrtarët e shëndetësisë.
Fëmija, i cili ishte shumë i vogël për të marrë vaksinën kundër fruthit, kishte zhvilluar panencefalit sklerozues subakut (SSPE). Është një ndërlikim i rrallë i fruthit që shkakton dëmtime në tru me kalimin e kohës dhe është pothuajse gjithmonë fatal.
Edhe pse SSPE prek vetëm rreth 1 në 10,000 njerëz që infektohen me fruth, rreziku është shumë më i lartë për foshnjat, rreth 1 në 600 infeksione, tha Associated Press.
“Ky rast është një kujtesë e dhimbshme se sa i rrezikshëm mund të jetë fruthi, veçanërisht për anëtarët më të prekshëm të komunitetit tonë”, tha Dr. Muntu Davis, oficere shëndetësore e Qarkut të Los Anxhelosit. “Foshnjat shumë të vogla për t’u vaksinuar mbështeten te të gjithë ne për t’i mbrojtur ato përmes imunitetit të komunitetit”.
SHBA-të kanë përjetuar shpërthimin më të keq të fruthit në më shumë se 30 vjet, të nxitur nga rënia e normave të vaksinimit dhe përhapja e rasteve vendase dhe ndërkombëtare.
Deri të martën, Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kishin konfirmuar 1,454 raste dhe tre vdekje në të gjithë vendin në vitin 2025.
Ekspertët e shëndetit theksojnë se vaksina kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) është e sigurt dhe efektive.
Dy doza mund të mbrojnë kundër fruthit në 97% të rasteve. Fëmijët duhet të marrin dozën e parë midis moshës 12 dhe 15 muajsh dhe një dozë të dytë midis moshës 4 dhe 6 vjeç./Gazeta Shneta/




