Kompania farmaceutike daneze Novo Nordisk ka njoftuar një partneritet të ri me OpenAI, me synim përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin e zhvillimit të barnave.
Sipas njoftimit, bashkëpunimi do t’i mundësojë kompanisë të analizojë sasi të mëdha të dhënash, të identifikojë më shpejt molekula potenciale dhe të reduktojë kohën nga kërkimi shkencor deri te përdorimi i trajtimeve nga pacientët.
Drejtuesit e kompanisë theksuan se ky hap synon të përshpejtojë zbulimin e terapive të reja, veçanërisht për sëmundje kronike si diabeti dhe obeziteti, fusha ku kompania është tashmë e njohur për produkte si Ozempic dhe Wegovy.
Përveç kërkimit shkencor, teknologjitë e inteligjencës artificiale pritet të përdoren edhe për përmirësimin e proceseve të prodhimit, zinxhirit të furnizimit dhe operacioneve të tjera të kompanisë.
Programet pilot do të nisin në sektorët e kërkimit dhe zhvillimit, prodhimit dhe operacioneve komerciale, me synimin për integrim të plotë deri në fund të vitit.
Edhe drejtuesit e OpenAI kanë vlerësuar se përdorimi i inteligjencës artificiale në shkencat e jetës mund të përshpejtojë zbulimet dhe të përmirësojë kujdesin ndaj pacientëve.
Ky bashkëpunim vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë kompani farmaceutike po investojnë në inteligjencën artificiale për të zhvilluar trajtime të reja dhe për të rritur efikasitetin në industrinë e shëndetësisë.




