“Vonesat në lidhjen e kontratave për furnizime me paisje dhe barna ka ndikuar që pacientët të mos jenë të furnizuar me këto shërbime në kohën kur ata kanë nevojë.”
Është një nga disa të gjetura të Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin e “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”.
Në këtë raport të ZKA-së është theksuar se Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga ministri, Arben Vitia, nuk ka kryer përgatitje të duhura të proceseve të prokurimit dhe nuk ishin në përputhje të plotë me kërkesat ligjore të Ligjit të Prokurimit Publik.
Raportit vë në pah se MSH-ja duke mos kryer përgatitjet e duhura ka pasur mungesë të barnave për pacientët.
“Përgatitjet jo të duhura të proceseve të prokurimit nga ana e Ministrisë dhe ankesat e OE-ve në OSHP ishin shkaktarët kryesor që kishin ndikuar në mos realizimin e planit të prokurimit dhe rrjedhimisht edhe nivelin e ulët të shpenzimeve (rreth 50% e buxhetit) si për projekte kapitale ashtu edhe për furnizimet me paisje mjekësore/ barna. Vonesat në lidhjen e kontratave për furnizime me paisje dhe barna ka ndikuar që pacientët të mos jenë të furnizuar me këto shërbime në kohën kur ata kanë nevojë.” – thuhet në të gjeturat e ZAK-së për “Mangësitë në planifikimin e prokurimit dhe efektet e tyre”.
Një çështje tjetër e përmendur në raport është edhe që Ministria e Shëndetësisë, nuk ka bërë njoftim. paraprak për kontrata.
Mungesa e njoftimit paraprak është kundër rregullave të prokurimit publik si dhe ulë transparencën.
“Mungesa e njoftimit paraprak nuk përkon me rregullat e prokurimit publik dhe njëkohsisht e ulë edhe transparencën për operatorët ekonomik që të njoftohen dhe përgatiten në kohë reale për prokurimet e mundshme. Po ashtu, kjo ndikon edhe në kufizimin e Ministrisë që të aplikojë afatet e shkurtuara të ofertimit pa pasur nevojë për aprovim.” – thuhet në raportin e ZKA-së në gjetjen e dytë “Mungesa e njoftimit paraprak”.
Gjithashtu, ZKA ka gjetur se MSH-ja nuk ka bërë analiza të duhura para procesit të tenderit të cilat kanë çuar në anulimin e prokurimeve publike në fazën e fundit për shkak se janë gjetur parregullsi.
MSH-ja në këtë rast ka pasur “kontrolle jo efektive në parandalimin e parregullsive në prokurim”
“Mungesa e analizave të duhura dhe me kohë para procesit të tenderimit (të çmimeve të tregut, specifikave teknike dhe kritereve të tenderit), kontrollet e pamjaftueshme gjatë procesit të prokurimit, përkatësisht në fund të procesit nuk japin siguri se aktivitetet janë menaxhuar në mënyrë efikase dhe efektive. Ministria nuk ka arritur të ushtrojë kontrolle të hershme për të shmangur parregullsitë në proces dhe si pasojë kemi anulime të kontratave duke e ndikuar mbarëvajtjen e funksionimit të sektorit të shëndetësisë.” – thuhet në raport.
Në raport është përmendur edhe mangësitë e MSH-së gjatë procesit të vlerësimit të tenderimit, ku në një rast ishin paguar mbi 11 mijë euro më shumë përtej vlerës së kontratës.
“Te kontrata e QKTGJ-së “Renovimi gjeneral të objektit ekzistues Njësia Regjionale Gjilan dhe renovim të kufizuar të hapësirave ekzistuese Prizren” me vlerë 229,959€ gjatë ekzekutimit të punëve ishte identifikuar një gabim në kontratë ku vlera e disa pozicioneve nuk kishte qenë e përfshirë në vlerën totale të kontratës. Vlera e këtij gabimi ishte përtej vlerës së kontratës për 11,076€. Komisioni i Vlerësimit, nuk e kishte vërejtur fare këtë gabim gjatë procesit të vlerësimit, përkundër që një nga obligimet primare të komisionit është të sigurohet për vlerën e saktë të ofertës financiare e që nuk është në pajtueshmëri me nenin 40.6 të rregullores 001/2022. Po ashtu, zyrtari përgjegjës i prokurimit kishte bërë amandamentimin e kësaj kontrate për këtë vlerë pa aprovimin e ZKA.” – ka gjetur ZKA-ja.
“Vonesë në përmbushjen e aneks kontratës / kontratës; Menaxhimi i kontratave jo përmes platformës së e-Prokurimit” – janë disa nga të gjeturat tjera.
Ndërkohë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka ardhë në përfundim që MSH-ja “sa i përket nënprocesit “Planifikimi i prokurimit”, vendimet dhe veprimet e Ministrisë të ndërmarra për periudhën e audituar nuk ishin në përputhje të plotë me kërkesat ligjore të LPP-së dhe akteve nënligjore përkatëse”.
Po ashtu edhe “Procedurat e tenderimit” si dhe “Menaxhimi i kontratës” nuk kanë qenë në përputhje me kërkesat ligjore.
Për krejt këto të gjetura, ZKA-ja ka bërë pesë rekomandime për MSH-në të cilat mund t’i lexoni më poshtë:





