Ndodh edhe kështu! Nusja, hedh në pjatën e vjehrrës ilaç mizash dhe tenton ta vrasë! Histori që ndodh në Shijak dhe për fat gruaja arrin të shpëtojë, ndërsa vajza e re, në cilësinë e nusesh vihet në pranga! Prej katër muajsh që është martuar, një vajzë e re me origjinë nga Dibra ka hasur në një trajtesë jo të mirë nga ana e vjehrrës së vet, vetëm 42 vjeçe!
Historia e përplasjeve me sa duket ka nisur menjëherë sapo është bërë ceremonia e dasmës, ku djali është detyruar të emigrojë në drejtim të Greqisë dhe të lërë nusen e tij 19 vjeç me dy prindërit në Shijak. Prej asaj kohe e deri dy ditë më parë kur konflikti ka arritur kulmin mësohet se mes tyre ka pasur një betejë të vazhdueshme, aq sa nusja e re i ka thënë policisë se vjehrra edhe e kishte dhunuar fizikisht, ndër të tjera. Madje ajo përveç se e dhunonte, sipas të arrestuarës, fliste edhe me të birin në telefon duke i thënë vetëm gjëra jo të këndshme për të. Kështu mbrëmjen e së shtunës, ka vendosur të hakmerret ndaj saj dhe t`i hedh helm në kos.
Për fat sasia e ilaçit ka qenë e dukshme dhe i ka dhënë menjëherë probleme gruas, që e ka detyruar të shkojë në spital e prej aty të zbulohet jo vetëm akti i çmendur i nuses po edhe konfliktet familjare, tipike të llojit tonë! Ngjarja Në ngjarje tjetër e rëndë është shënuar në Durrës ku një shtetase 19-vjeçare ka tentuar të helmojë dhe të vrasë vjehrrën e saj me ilaç për zhdukjen e insekteve. Denoncimi është bërë nga vetë vjehrra e cila ka pretenduar se nusja e saj ka tentuar që ta vrasë me helm të servirur në ushqimin e mbrëmjes.
42-vjeçarja ka treguar e tmerruar se është e bindur se nusja e saj është përgjegjëse për helmimin, pasi gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar pasi kishte ngrënë ushqimin që ja kishte servirur 19-vjeçarja. Sipas denoncueses A. S, 42 vjeçe, në datë 30.06.2017, në banesën e saj, në Likesh, Shijak, nusja e djalit ka tentuar ta vrasë (helmojë) duke i hedhur në një gotë me kos një sasi helmi që përdoret për insektet (Akravil)”. Kjo bindje gruas i është shtuar dhe nga relatat që ka pasur me nusen e saj,të cilën e shikon si përgjegjëse dhe autore të tentativës për vrasje, duke i hedhur helm në ushqim.
Gjendja e gruas 42-vjeçarja ka marrë mjekim në spital dhe për fat tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Gruas i është bërë lavazh në stomak dhe është mbajtur në një kujdes intensive mjekësor, duke shmangur rrezikun për jetën. Menjëherë pas denoncimit dhe sigurimit të provave të nevojshme policia ka bërë arrestimin e shtetases Elda Tanushi, 19 vjeç, e cila akuzohet për tentativë për vrasje. Nga marrja në pyetje që policia i ka bërë 19 vjeçares, kjo e fundit bëhet e ditur se e ka pranuar faktin se i ka hedhur ilaç insektesh në ushqim, por jo me qëllimin që ta vriste.
Ajo ka treguar para hetuesve se shkaku i këtij veprimi ka qenë fakti se vjehrra e dhunonte dhe keqtrajtonte. Sipas saj ajo jetonte në një shtëpi me vjehrrin dhe vjehrrën e saj, pasi burri ishte larguar në drejtim të Greqisë për të punuar. Ajo kishte vetëm disa muaj e martuar dhe jetonte e mbyllur në shtëpi, së bashku me vjehrrin dhe vjehrrën. Nusja ka deklaruar se vjehrra komunikonte në telefon me djalin e saj duke i folur keq për të. I thoshte se nuk punon dhe rri gjithë ditën në celular. Kjo arsye dhe arsye të tjera e kanë bërë atë që të ndërmarrë këtë veprim të rëndë, duke i hedhur ilaç mizash në ushqimin e mbrëmjes. Në pjatën me kos nusja ka hedhur një sasi Akravili (ilaç për insekte) që për fat nuk ka qenë e mjaftueshme që të shkaktonte humbjen e jetës së 42- vjeçare!