Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), njoftoi se vdekjet nga koronavirusi në Evropë u rritën me 5% javën e fundit, duke e bërë atë rajonin e vetëm në botë ku vdekjet nga COVID-19 u u ngritën më shumë.
Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, tha se rastet e konfirmuara u rritën me 6% globalisht, të nxitura nga rritjet në Amerikë, Evropë dhe Azi, shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
Në raportin e tyre javor mbi pandeminë të lëshuar në ditën e martë, OBSH tha se vdekjet nga COVID-19 në të gjitha rajonet përveç Evropës mbetën të qëndrueshme ose ranë dhe arritën në 50,000 në mbarë botën, javën e kaluar. Nga 3.3 milionë infeksione të reja të raportuara, 2.1 milionë erdhën vetëm nga Evropa.
Ishte java e shtatë radhazi që rastet e COVID-19 vazhduan të rriteshin në 61 vende dhe territore që OBSH numëron në rajonin e saj evropian, i cili shtrihet përmes Rusisë deri në Azinë Qendrore.
Ndërsa rreth 60% e njerëzve në Evropën Perëndimore janë plotësisht të imunizuar kundër COVID-19, vetëm rreth gjysma e tyre janë vaksinuar në pjesën lindore të kontinentit, ku zyrtarët po luftojnë për të kapërcyer hezitimin e përhapur drejt marrjes së vaksinave.
OBSH, njoftoi se infeksionet kanë rënë në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azinë Juglindore që nga korriku.
Brenda Evropës, OBSH tha se numri më i lartë i rasteve të reja ishte në Rusi, Gjermani dhe Britani. Ai vuri në dukje se vdekjet u rritën me 67% në Norvegji dhe me 38% në Sllovaki.
Agjencia shëndetësore e përshkroi më parë Evropën si epiqendrën e pandemisë në vazhdim dhe paralajmëroi se mund të ketë 500,000 vdekje të tjera deri në shkurt nëse nuk ndërmerren veprime urgjente në kontinent.
Javën e fundit, Austria ka vendosur kufizime të rrepta në lëvizjen e njerëzve të pavaksinuar, Holanda dhe disa vende të tjera evropiane kanë ri-futur masat e izolimit në përpjekje për të ngadalësuar infeksionet dhe Mbretëria e Bashkuar vendosi të përdorë doza përforcuese për të gjithë mbi moshën 40 vjeçe. /Gazeta Shneta/