Organizata Botërore e Shëndetit, po heton mundësinë e përhapjes nga njeriu te njeriu të hantavirusit pas një shpërthimi të dyshuar në bordin e anijes turistike MV Hondius në Oqeanin Atlantik.
Sipas të dhënave zyrtare, janë konfirmuar shtatë raste infeksioni në bord, përfshirë tre viktima, një pacient në gjendje kritike dhe tre persona me simptoma të lehta.
Ndërkohë, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka vlerësuar se rreziku për përhapje më të gjerë në Evropë mbetet “shumë i ulët”, duke theksuar se janë marrë masa parandaluese në bord për të kufizuar infeksionin.
Ekspertët e OBSH-së nuk përjashtojnë mundësinë e transmetimit mes njerëzve në kushte kontakti të ngushtë.
Sipas zyrtares së OBSH-së, Maria Van Kerkhove, raste të tilla mund të ndodhin mes personave që ndajnë kabina ose kanë kontakt të afërt.
Autoritetet shëndetësore në Spanjë kanë bërë të ditur se një ekip epidemiologësh do të hipë në anije për të kryer kontrollin e pasagjerëve dhe për të vlerësuar rrezikun, në koordinim me OBSH-në.
Hantavirusi është një grup virusesh që zakonisht transmetohen te njerëzit përmes kontaktit me brejtës ose përmes thithjes së grimcave të kontaminuara nga jashtëqitjet e tyre. Në shumicën e rasteve, ai nuk përhapet lehtë nga njeriu te njeriu, me përjashtime të rralla si disa variante të identifikuara në Amerikën e Jugut.
Anija MV Hondius, e operuar nga kompania Oceanwide Expeditions, ndodhet aktualisht e ankoruar pranë brigjeve të Kepit të Gjelbër me 149 persona në bord.
Autoritetet lokale nuk kanë lejuar zbarkimin e pasagjerëve.
Sipas kompanisë, situata në bord mbetet e qetë, ndërsa dy anëtarë të ekuipazhit kanë shfaqur simptoma respiratore dhe kanë kërkuar trajtim urgjent.
Autoritetet holandeze po përgatisin evakuimin mjekësor për rastet simptomatike.
Hetimet janë ende në vazhdim për të përcaktuar burimin e infeksionit dhe nëse transmetimi ka ndodhur përmes mjedisit apo ndërmjet personave.




