Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) planifikon të dërgojë ekipet mjekësore së bashku me material furnizues në Turqi dhe Siri pas tërmetit shkatërrues të kësaj jave.
Një “delegacion i nivelit të lartë” është gjithashtu në rrugë për në rajon për të ndihmuar në koordinimin e përgjigjes së OBSH-së, raporton CNN përcjell Gazeta Shneta.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, agjencia po dërgon 3 milionë dollarë për të ndihmuar në mbështetjen e përgjigjes së urgjencës dhe po “punon me partnerët për të ofruar kujdes të specializuar mjekësor”.
“Me kushtet e motit dhe pasgoditjeve të vazhdueshme të tërmetit, ne jemi në një garë me kohën për të shpëtuar jetë. Njerëzit kanë nevojë për strehim, ushqim, ujë të pastër dhe kujdes mjekësor për lëndimet e shkaktuara nga tërmeti, por edhe për nevoja të tjera shëndetësore”, tha Tedros në një konferencë për shtyp të mërkurën.
Një fluturim tashmë është rrugës për në Stamboll, ndërsa një tjetër fluturim për në Damask po përgatitet të niset. Ndërsa parashihet dhe një fluturim i tretë për në Damask, ka thënë Tedros.
Dr. Iman Shankiti, përfaqësuese e OBSH-së në Siri, tha se numri i vdekjeve dhe lëndimeve po rritet çdo orë.
“Ne vazhdojmë të jemi shumë të shqetësuar për zonat që janë të paarritshme për shkak të tërmetit, i cili ka shkatërruar disa nga zonat që përdoren për transport”, tha Dr. Shankiti.
Sistemi shëndetësor në Siri është gjithashtu në gjendje të rëndë, me disa spitale të paarritshme për shkak të tërmetit.
“Nevojat shëndetësore janë të jashtëzakonshme. Dua të them, është e rëndësishme të theksohet se sistemi shëndetësor ka vuajtur në 12 vitet e fundit dhe vazhdon të vuajë dhe të jetë i tendosur nga urgjencat e vazhdueshme dhe i fundit është ky tërmet”, tha ajo.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë prioriteti kryesor në Siri – tani, të ndjekura nga qasja në strehim, ushqim dhe ujë, sipas Dr. Shankiti.
Përfaqësuesi i OBSH-së në Turqi, Dr. Batyr Berdyklychev tha se pasgoditjeve të shumta po paraqitet sfiduese operacioni i kërkim-shpëtimit.
“Sfidat kryesore për momentin, janë pasgoditjet e vazhdueshme të tërmetit, moti i keq – nën zero gjatë natës – gjithashtu kjo situatë dëmtoi rrugët që pengojnë hyrjen në territoret dhe zonat e prekura”, tha Dr. Berdyklychev. /Gazeta Shneta/




