Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka thënë të mërkurën se ka një rënie gati 90% të vdekjeve të fundit nga COVID-19 në nivel global krahasuar me nëntë muaj më parë.
Këto deklarata ofruan “shkak për optimizëm”, por gjithsesi kërkuan vigjilencë kundër pandemisë ndërsa variantet vazhdojnë të shfaqen, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë dhe kjo është padyshim shkak për optimizëm. Por ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha qeverive, komuniteteve dhe individëve që të qëndrojnë vigjilentë,” tha drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë virtuale për shtyp nga selia e OBSH-së në Gjenevë.
Shefi i OBSH, mes tjerash, ka shtuar se nivelet e testimit dhe sekuencës mbeten të ulëta globalisht, boshllëqet e vaksinimit midis vendeve të pasura dhe të varfra janë ende të gjera dhe variantet e reja vazhdojnë të shumohen.
Në përgjithësi, OBSH ka raportuar 629 milionë raste dhe 6.5 milionë vdekje të lidhura me pandeminë.
Numri më i madh i rasteve të raportuara rishtazi gjatë javës erdhi në Japoni, me më shumë se 401,000, një rritje prej 42% nga një javë më parë. Kjo u pasua nga Koreja, Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Kina, të cilat numëruan më shumë se 219,000 raste të reja gjatë javës – një rënie prej 15% nga një javë më parë. /Gazeta Shneta/