Një raport i ri i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se mbi 100 milionë njerëz në mbarë botën – përfshirë të paktën 15 milionë adoleshentë të moshës 13–15 vjeç – përdorin cigare elektronike. Ky trend, sipas OBSH-së, po ushqen një “valë të re varësie nga nikotina” dhe rrezikon të minojë dekada progres kundër duhanpirjes.
Edhe pse përdorimi i duhanit ka rënë nga 1.38 miliardë përdorues në vitin 2000 në 1.2 miliardë në 2024, epidemia e duhanit mbetet një kërcënim i madh shëndetësor. Sot, një në pesë të rritur në botë ende konsumon duhan, duke kontribuar në miliona vdekje të parandalueshme çdo vit, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
“Industria e duhanit po kundërpërgjigjet me produkte të reja nikotine, duke i targetuar agresivisht të rinjtë,” tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Qeveritë duhet të veprojnë më shpejt dhe më fort me politika kontrolli të provuara.”
Të dhënat tregojnë se fëmijët janë nëntë herë më të prirur se të rriturit të përdorin e-cigare. Në Evropë, rreth 22% e adoleshentëve 15–16 vjeç raportuan përdorim të rregullt, krahasuar me 14% pesë vjet më parë. Shkencëtarët paralajmërojnë se vapimi shpesh shërben si “urë” drejt pirjes së cigareve tradicionale.
Raporti tregon gjithashtu një ndarje gjinore: gratë kanë arritur ulje më të shpejtë të konsumit të duhanit, ndërsa burrat vazhdojnë të përbëjnë mbi 80% të përdoruesve globalë. Europa mbetet rajoni me përqindjen më të lartë të përdorimit, ndërsa Afrika ka më të ulëtën.
Studime të fundit tregojnë vapimi lidhet me rritje të rrezikut për goditje në tru me 32%, duke shtuar shqetësimet për pasojat afatgjata shëndetësore. /Gazeta Shneta/




