Oda e Mjekëve të Kosovës, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor klinik Universitar e kanë dënuar sulmin fizik ndaj mjekut Sefedin Fazliu, i cili u sulmua fizikisht nga familjarët e një pacienti në Spitalin e Ferizajt
“Oda e Mjekëve të Kosovës shprehë indinjatën e thellë për joefikasitetin e sistemit gjyqësor dhe të ndjekjes penale, që të krijojë praktikë të tillë me të cilën do të bënin të qartë për secilin qytetar se sulmet fizike ndaj personave zyrtar, përfshirë këtu edhe mjekët, janë veprime kriminale për të cilat shqiptohen sanksionet më të rënda të mundshme të parapara me ligjin penal për secilën vepër veç e veç. Veprimet kriminale që përbëjnë sulm fizik ndaj mjekut në vendin e punës duhet kualifikuar si vepër penale e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”.
“OMK-ja do të angazhohet maksimalisht për të sensibilizuar opinionin dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës, për nevojën e trajtimit serioz lidhur me sigurinë e mjekëve në vendin e tyre të punës dhe mbrojtjes së dinjitetit profesional të mjekut në shoqëri”, thuhet në reagimin e OMK-së.
Edhe Federata e Sindikata e ka dënuar ashpër sulmin ndaj mjekut, ndërsa kanë organizuar edhe një protestë para emergjencës së Ferizajt me moton “Ndal dhunën ndaj personelit shëndetësor”.
“FSSHK në vazhdimësi ka ngritur zërin e saj për të gjitha rastet e dhunës së ushtruar ndaj punëtorëve shëndetësor, kërcënimeve dhe shantazheve të cilat ndikojnë drejtëpërsëdrejti në ushtrimin e profesionit por edhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore. FSSHK kërkon nga Autoritetet shtetërore të tregojnë zero tolerancë ndaj dhunuesit të mjekut dhe personelit shëndetësorë. Ka ardhur koha të ndryshojmë kulturën, në mënyrë që të mos reagojmë pasi të ketë ndodhur dhuna, por për të parandaluar atë”
“FSSHK bën apel ndaj të gjitha figurave publike politike që mos të përdorin deklarata me qëllime populliste ndaj profesionistëve shëndetësor të cilat ndikojnë tek masa e gjerë dhe si pasojë e kësaj po kemi sulme të vazhdueshme. FSSHK do të përdorë të gjithë autoritetin në mbrojtje të punëtorëve shëndetësor dhe anëtarëve të saj. Ngrisim zërin tonë, të vendosur që të mbrojmë dinjitetin dhe vlerën njerëzore, që një herë e përgjithmonë këto veprime barbare të ndalen dhe të gjejnë dënimin meritor për kryerësit e këtyre veprimeve. Në të kundërtën do ti ndërmarrim të gjitha masat radikale sindikale me qellim të mbrojtjes së integritetit profesional dhe njerëzor”, thuhet në reagimin e FSSHK-së.
Edhe SHSKUK ka reaguar duke thënë se mjeku Fazliu u sulmua derisa po i ofronte ndihmë të lënduarve nga një aksident trafiku.
“Mjeku i sulmuar mbrëmë edhe pas sulmit ndaj tij ishte kthyer prapë për të vazhduar ndihmën ndaj pacientit në fjalë si dhe pacientëve tjerë nga një aksident trafiku. Ai njihet për sjellje korrekte dhe të përgjegjshme ndaj palëve. SHSKUK dënon sulmin ndaj mjekut specialist në detyrë, gjatë dhënies së ndihmës pacientit të hospitalizuar dhe trajtuar sipas protokolleve të sëmundjes emergjente”.
“Aktet e tilla të ushtrimit të dhunës ndaj mjekëve në detyrë në institucionet publike, janë të pa pranueshme dhe të dëmshme, e të cilat e dëmtojnë rëndë imazhin dhe dinjitetin e mjekut, por e dëmtojnë edhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore për gjithë qytetarët e Kosovës. SHSKUK kërkon nga organet e drejtësisë të merren me rastin me në fjalë dhe sulmuesin e mjekut ta nxjerrin si përgjegjës. Mjekët janë në shërbim të pacientëve, duke bërë punë të ndërgjegjshme dhe me sakrifica të mëdha”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/