Rreth 2.69 miliardë njerëz në mbarë botën nuk kanë mundësi financiare të ushqehen shëndetshëm, pasi kostoja e një diete të balancuar është rritur me 25 për qind në pesë vitet e fundit, ka paralajmëruar Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Paralajmërimi është bërë nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e OKB-së (FAO), në prag të publikimit të raportit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë”, i cili do të publikohet më 21 korrik.
Ekonomisti kryesor i FAO-s, Máximo Torero Cullen, tha se rritja e çmimeve ka bërë që një dietë e shëndetshme të kushtojë më shumë sesa kufiri ndërkombëtar i varfërisë ekstreme.
“Si rezultat, 2.69 miliardë njerëz, pothuajse një në çdo tre persona në botë, ende nuk mund ta përballojnë një dietë të shëndetshme”, tha Torero.
Sipas tij, kostoja mesatare globale e një diete që plotëson të gjitha nevojat ushqyese ka arritur në 4.28 dollarë për person në ditë, ndërsa kufiri ndërkombëtar i varfërisë ekstreme është 3 dollarë në ditë.
Torero theksoi se problemi nuk është mungesa e kalorive, por kostoja e ushqimeve me vlera ushqyese.
“Kaloritë janë relativisht të lira, por ushqimi cilësor nuk është”, u shpreh ai.
Sipas të dhënave të FAO-s, drithërat dhe ushqimet bazë, të cilat sigurojnë pjesën më të madhe të kalorive ditore, përbëjnë vetëm 13 për qind të kostos së një diete të shëndetshme.
Në anën tjetër, frutat dhe perimet sigurojnë vetëm rreth 5 për qind të kalorive ditore, por përbëjnë 16 për qind të kostos totale të dietës. Ndërkaq, produktet me origjinë shtazore përfaqësojnë afro 30 për qind të kostos së një ushqimi të shëndetshëm.
“Sfida nuk është të prodhojmë më shumë kalori, por t’i bëjmë ushqimet e pasura me lëndë ushqyese më të përballueshme për qytetarët”, tha Torero.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e konsideron ushqyerjen e pashëndetshme si një nga faktorët kryesorë të rrezikut për barrën globale të sëmundjeve. Sipas OBSH-së, një dietë jo e balancuar lidhet ngushtë me rritjen e rasteve të sëmundjeve kronike jo-ngjitëse, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin dhe kancerin.


