Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB (OHCHR) ka bërë të ditur se që nga fundi i majit, të paktën 798 palestinezë janë vrarë ndërsa kërkonin ndihma ushqimore në Gaza. Sipas të dhënave zyrtare, 615 viktima janë regjistruar pranë pikave të shpërndarjes të drejtuara nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), ndërsa 183 të tjera kanë humbur jetën përgjatë rrugëve të karvanëve humanitarë.
GHF është një strukturë alternative ndaj sistemit humanitar të OKB-së, e propozuar nga Izraeli dhe e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo nismë është kritikuar ashpër nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e akuzojnë për mungesë të paanshmërisë dhe për rrezikun e përfshirjes në krime lufte. GHF mohon të ketë lidhje me ndonjë incident të përgjakshëm në pikat e saj, dhe fajëson ushtrinë izraelite për të shtënat ndaj civilëve.
Ndërkohë, situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet. Organizata Mjekët pa Kufij raportoi të premten një rritje alarmante të rasteve të kequshqyerjes akute, duke theksuar se në klinikat e tyre në Gaza, numri i rasteve është katërfishuar në vetëm dy muaj.
Po të premten, të paktën 10 persona u vranë dhe mbi 60 u plagosën në Rafah, kur forcat izraelite hapën zjarr mbi një turmë njerëzish që kërkonin ndihma. Në veri të Gazës, të paktën 15 persona u vranë nga sulmet ajrore izraelite, përfshirë një goditje ndaj një shkolle që përdorej si strehë nga civilët.
Spitalet në jug të Gazës po përballen me mungesë të theksuar të furnizimeve, mbipopullim dhe presion të madh nga fluksi i të plagosurve. Mjekët raportuan për granata dhe të shtëna pranë spitaleve, ndërkohë që pacientët trajtohen në ambientet jashtë ndërtesave për shkak të mbingarkesës.
Ndërsa luftimet vazhdojnë, negociatat për armëpushim mbeten të pasigurta. Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh optimist për një marrëveshje të mundshme gjatë ose pas vizitës së kryeministrit izraelit Netanyahu në Uashington. Hamasi thuhet se ka rënë dakord të lirojë 10 pengje gjatë një armëpushimi dy mujor, por pengesa të mëdha mbeten.
Sakaq, propozimi i ministrit izraelit të Mbrojtjes për krijimin e një “qyteti humanitar” në jug të Gazës është cilësuar nga ekspertët si një formë zhvendosjeje të detyruar, që mund të përbëjë krim kundër njerëzimit.
Që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau mbi 1,200 izraelitë dhe mori mbi 250 pengje, Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake të vazhdueshme në Gaza. Deri më tani, më shumë se 57,000 persona janë vrarë, ndërsa kriza humanitare thellohet çdo ditë. Banorët e Gazës, të lodhur nga uria, zhvendosja dhe dhuna, shprehen të dëshpëruar për mungesën e një zgjidhjeje.




