Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), përfaqëson organizatën e pavarur profesionale të mjekëve që ushtrojnë veprimtari mjekësore në Republikën e Kosovës.
Në një shoqëri të lartë të profesionistëve shëndetësor, puna në të cilën mbështetet veprimtaria e OMK-së është duke filluar qysh në sigurimin e standardeve të larta të kodit të etikës, promovimit dhe mbrojtjes së veprimtarisë së profesionistëve shëndetësor, edukimin e vazhdueshëm profesional dhe ofrimin e shërbimeve që lidhen me kujdesin shëndetësor, shkruan Gazeta Shneta.
“Qëllimi bazë, përveq të tjerash, i themelimit të OMK-së është përfaqësimi i mjekëve pra të interesave profesionale dhe atyre socio-ekonomike të tyre. Këtë rol OMK e ka ushtru me mjaft sukses por përfaqsimi i interesave të mjekëve përmes përfaqësimit në nivele institucionale ka hasur në probleme mvarsisht prej qasjes që kanë pasur nivele të ndryshme të ministries. Kjo problematikë është prezente tash e 3 vite, shpresojme se kjo nuk do vazhdoj dhe do te rrespektohet legjislacioni ne fuqi”, ka thënë kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Dr. Pleurat Sejdiu.
Dr. Sejdiu, ka treguar për Gazetën Shneta, se në këtë vit jane anëtarsuar dhe licensuar nga ana e OMK-së 152 mjek të rinj të sapodiplomuar.
Rreth ngjarjeve më të rëndësishme të zhvilluar nga OMK për të ndihmuar dhe fuqizuar rolin e profesionistëve shëndetësor në Kosovë, Dr. Sejdiu ka njoftuar se:
“Sa i përket edukimit të vazhduar profesional dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale, Komisioni për Edukimin e Vazhdueshëm Profesional gjatë vitit 2022, ka akredituar 167 aktivitete. Nga aktivitetet e akredituara, Oda e Mjekëve të Kosovës ka organizuar dhe përkrahur 23 aktivitete (Kongrese, Puntori, Trajnime praktike profesionale) ku përfitues ishin 6363 mjekë. Kjo mbeshteteje financiare ka arritur ne mbi 174.000 euro.”
Për të qëndruar sa më afër rreth profesionistëve të dalluar të fushës shkencore, OMK çdo vit ndan shpërblime për mjekët me punime shkencore më të dalluara. Mes tjerash, Dr. Sejdiu është shprehur se nga viti i ardhshëm do të ketë shpërblime dhe për inovacione të patentuara.
“OMK çdo vit ndan shperblime per mjeket qe kane arritur suksese ne punime shkencore te njohura nderkombtarisht dhe nga viti qe po vjen do kem edhe shperblimet per inovacione te patentuara. Te gjitha tashme permes konkursit/gares se hapur publike me kritere strikte te percaktuara nga komisioni gjegjes qe jane te gjithe pjese e stafit akademik dhe hulumtues shkencor te komunitetit tone te mjekeve.”
Planet dhe strategjia e veprimtarisë për vitin e ri 2023, tanimë kanë zënë vend në tavolinën e punës të zyrtarëve të Odës së Mjekëve të Kosovës.

Kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin e projekteve të synuara nga OMK, ka dhënë Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut përmes projektit për shëndetësi në Kosovë.
Sejdiu ka thënë se me mbështetjen e LuxDev, vitin e ardhshëm do fillojnë me investime në profilizimin e mjekëve specialist si dhe dërgimin e specializantëve të rinjë në përfundim të programeve specialistike jashtë vendit.
Ky projekt madhor që është e bërë e ditur nga Dr. Sejdiu për Gazetën Shneta, është ende në pritje të përgjigjjes nga Ministria e Shëndetësisë (MSh) dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK).
Në këtë drejtim, OMK ka ofruar marrëveshje bashkëfinancimi MSh-së për specializantët dhe ShSKUK-së për bashkëfinancim të profilizimeve.
Për fund, OMK mbetet e zotuar se do të vazhdon me mbështetje financiare të punimeve shkencore të cilat arrijnë të zënë vend në revistat prestigjoze në nivelin botëror. /Gazeta Shneta/




