Oda e Mjekëve të Kosovës ka ftuar në një takim urgjent koordinues odat tjera të profesionistëve shëndetësorë dhe Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë.
Kjo është bërë e ditur nga kryetari i OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu, i cili ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit të Pagave është poshtërues për punëtorët shëndetësorë, shkruan Gazeta Shneta.
“E turpshme, denigruese dhe poshtëruese në këtë kohë kur punëtorët shëndetësorë janë të rraskapitur dhe institucionet shëndetësore para kolapsit. Për hapa të tjerë do t’ju lajmërojmë”, ka deklaruar Sejdiu.
Oda e Mjekëve vazhdimisht ka bërë thirrje për zbatimin e këtij ligji për shkak të pagave jo të dinjitetshme të mjekut në Kosovë, si dhe për të ndaluar ikjen e mjekëve të rinj për në vendet evropiane.
Kujtojmë se kërkesat e punëtorëve shëndetësorë për ngritje të pagave dhe për implementimin e këtij ligji janë nga viti 2018, kohë kjo kur hynë në grevë sindikata dhe kolegjiumi i kirurgëve të QKUK-së. /Gazeta Shneta/