Oda e Mjekëve të Kosovës ka hapur thirrjen për kandidim për pozitën e Kryetarit të Odës, duke ftuar të gjithë anëtarët e sapozgjedhur të Kuvendit që shprehin interes të aplikojnë në përputhje me Kodin Zgjedhor të OMK-së.
Pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe certifikimit të listës përfundimtare të anëtarëve të Kuvendit, OMK ka bërë të ditur se kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë formularin për kandidim, i cili është i disponueshëm në faqen zyrtare të Odës.
Sipas njoftimit, çdo anëtar që ka fituar mandat katërvjeçar në Kuvend dhe dëshiron të kandidojë për kryetar duhet të sigurojë mbështetjen e saktësisht 20 anëtarëve të tjerë të zgjedhur.
Anëtarët që japin mbështetje nuk duhet të jenë vetë kandidatë për këtë pozitë dhe mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat.
Aplikacionet për kandidim duhet të dorëzohen në selinë e Odës së Mjekëve të Kosovës, përkatësisht në KQZ përmes Sekretariatit të saj.
Kushtet për aplikim janë:
- Të jetë anëtar i zgjedhur për Kuvendin e Odës nga njësia përkatëse zgjedhore;
- Të ketë siguruar mbështetjen e 20 anëtarëve të zgjedhur;
- Të mos jetë duke u zhvilluar procedurë penale ndaj tij;
- Të mos ketë dënime penale të evidentuara për vepra të kryera gjatë ushtrimit të profesionit të mjekut;
- Të mos ketë dënim për keqpërdorim të detyrës zyrtare;
- Të mos ketë masë të rëndë disiplinore nga organet e mbikëqyrjes etike.
Kandidatët duhet të dorëzojnë formularin e kandidimit së bashku me CV-në, programin dhe certifikatën e së kaluarës penale në KQZ (Zyrën Qendrore të Odës).
Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 2 mars 2026./Gazeta Shneta/




