Muaji tetor ndryshe njihet edhe si Tetori rozë ku i kushohet rëndësi rritjes së ndërgjegjësimit për rrezikun nga kanceri i gjirit. Gazeta Shneta ka realizuar një intervistë me kirurgun torakal, dr. Nazmi Kolgecin i cili ka ndarë me ne informata rreth rasteve kirurgjike për trajtimin e kancerit.
Dr. Kolgeci tregoi rastet kur është e nevojshme kemioterapia dhe rastet kur pacientet nuk iu nënshtrohen operacioneve për trajtimin e kancerit të gjirit. Ai ka bërë të ditur se nga muaji janar deri në muajin tetor rreth 196 gra kanë kryer mastektomi ose heqje të gjirit brenda këtij viti krahasuar me vitin paraprak kur për të njëjtën periudhë kohore kanë qenë 175 raste, shkruan Gazeta Shneta.
Praktikisht një grua nëse shkon vetëm me kemioterapi nuk mund të shërohet pasi fillimisht shkon operacioni pastaj kemioterapia. Raste kur fillimisht shkojmë më kemioterapi pastaj me operacione janë raste shumë të avancuara. Si rregull një operacion i mirë dhe një kemioterapi e mirë është shpëtim për pacientin. Rastet kur tumori ka depërtuar në organet tjera si në mushkëri, eshtra etj nuk operohen, – tregoi dr. Kolgeci.
Sipas doktorit, QKUK-ja duhet të mburret më kirurgjinë e gjirit pasi që kirurgët e këtij reparti janë të përgatitur mjaftë mirë për këto intervenime. Ai ka përmendur edhe raste kur nga vendet e jashtme si Franca, Gjermania pacientët kanë ardhur për të kërkuar trajtim në këtë klinikë.
Nëse QKUK-ja mburret me dicka atëherë duhet të mburret me kirurgjinë e gjirit pasi ne jemi 12 kirurgë që punojmë këtu dhe jemi të përgatitur për intervenime të tilla. Ne kemi raste edhe që kanë qenë jashtë vendit me sigurime shëndetësore unë personalisht kam raste nga Franca Gjermiania që kanë ardhur në Prishtinë për operim. Kjo do të thotë se kanë besim. Për kirurgji nuk referojmë asnjëherë jashtë vendit. Periudha e pritjes për operime është 3 javë pasi i kemi primare këto raste,- bëri të ditur dr. Nazmi.
Doktori tregoi se momentalisht u mungon vetem ‘sentinel node’ dhe pastaj kjo klinikë mundëson të gjitha metodat e standarizuara për trajtimin e gjirit.
Ne i bëjme të gjitha ndëryrjet për gji momentalisht na mungon sentinel node për të cilën edhe jemi në bisedime me gratë deputete dhe nëse edhe kjo arrihet atëherë si kirurgji kompletohemi me të gjitha metodat e standarizuara për trajtimin e gjirit. Shumë pak raste kemi që dalin jashtë vendit dhe zakonisht këto janë zgjedhje personale që familjarët kanë preferenca pasi 90%-95% të rasteve trajtohen në QKUK dhe sektore private edhe pse shpesh puna jonë dhe sukseset tona shpesh mbetën edhe nën hije,- shtoi ai.
Po ashtu kirurgu Kolegeci tregoi se në këtë klinikë kryhen edhe operacione për rikonstruktim të gjirit mirëpo pasi që punojnë vetëm me një sallë operacioni është e pamundur që të kryhen gjitha operacionet sa i përket rikonstruktimit të gjirit. Ai tregoi se u është premtuar nga menaxhmenti edhe një sallë e re operacioni.
Pas operacionit jeta e gruas nuk është e këndshme pasi që kur hiqet një gji atëherë i humb edhe feminiteti dhe nuk është dicka e trishtushme por nuk është edhe e këndshme për asnjë pacient. Unë mendoj që ndërhyrjet kirurgjike duhet me pasë parasysh edhe rikonstruktimin e gjirit. Ne kirurgët torakalë e kryjmë këtë operacion mirëpo këtë operacion e bën edhe klinika plastike. Është problematike te ne pasi ne punojmë vetëm me një sallë të operacionit dhe është shumë e mbingarkuar. Pacientët kërkojnë ndihmë dhe rikonstruktimin e gjirit te ne dhe për shkak të mbingarkesës është e pamundur që t’i arrijmë të gjitha rastet me rikonstruktim të gjirit. Ne si kirurgji torakale operojmë vetëm me një sallë për krejt Kosovën kështu jemi duke biseduar me menaxhmentin qendror të cilët na kanë premtuar që do të fillojmë edhe me sallën e dytë e cila na lehtëson punën edhe neve edhe shërbimeve ndaj pacientëve, tregoi kirurgu Kolgeci. /Gazeta Shneta/




