Ortopedi nga Gjilani Selami Ramadani ka deklaruar se ka kryer me sukses një operacion për autotransplant në gju, intervenim të cilin ai e shikoi vetëm një herë përmes platformës “Zoom”.
Media lokale në Gjilan “rajonipress” ka publikuar një shkrim ku është bashkëngjitur edhe një certifikatë e lëshuar nga një organizatë spanjolle e quajtur “Regenera Activa ATM”. Sipas kësaj certifikate Ramadani është certifikuar për një trajnim.
”Më erdhi mirë që më kishin përzgjedhur mua sepse më është dashur vetëm njëherë ta shikojë këtë operim dhe këtë ndërhyrje përmes ZOOM-it dhe herën tjetër edhe me asistimin e mjekëve nga Spanja, ta kryej me shumë sukses operimin tek një 42 vjeçar gjilanas” ka deklaruar Ramadani.
”Pacienti kishte diagnozën Osteochondritis dhe ne i bëmë autotransplantin duke marrë një pjesë nga kërci i veshit e cila jepet me gjilpërë, një ndërhyrje që kryhet për 30 minuta me anestezion lokal dhe pa dhimbje. Pacienti im ka kaluar shumë mirë dhe kam marrë shumë falënderime e telefonata nga e gjithë Kosova”, tha Ramadani.
Ramadani thotë se për të dhe fushën e ortopedisë në Kosovë kjo është një arritur e madhe sepse tani pacientët tanë do të kenë shumë më pak dhimbje të gjurit, duke ju ikur injeksioneve të cilat shkaktojnë dhimbje të mëdha.
“Pas këtij suksesi Qendra spanjolle më ka certifikuar dhe më ka vendosur në vebsajtin e saj zyrtar (https://regenerapain.com/find-amt-treatment-provider) dhe jam renditur përkrah 27 doktorëve me renome ndërkombëtare nga vende të ndryshme të Evropës. Jam certifikuar për Kosovë dhe Maqedoni dhe besoj shumë shpejt do ta sigurojmë edhe aparaturën sepse është shumë e shtrenjtë dhe pacientët do të ndihen shumë me rehat nga kjo ndërhyrje” tha Ramadani. /Gazeta Shneta/