MSH nuk po i furnizon me barna pacientët e sëmurë nga sëmundja e hemofilisë, të cilët po detyrohen të kërkojnë ndihmë për ta siguruar medikamentin Faktori IX
Urim Rexhaj i prekur nga sëmundja e hemofilisë ka mbetur pa barna dhe po i rrezikohet jeta nga gjakderdhja. Si ai janë edhe rreth 150 pacientë të tjerë në krejt Kosovën. Këta pacientë kanë nevojë të përdorin medikamentin Faktori IX, e të cilin Ministria e Shëndetësisë nuk është duke ua siguruar prej më shumë se 4 muaj.
Rexhaj është detyruar të kërkojë ndihmë për ta blerë këtë medikament i cili kushton rreth 700 euro, shkruan Gazeta Shneta.
“Unë vuaj nga sëmundja e hemofilisë. Institucionet nuk po na përkrahin dhe jam i detyruar të kërkojë ndihmë sepse po më rrezikohet jeta nga gjakderdhja”, thotë ai.
Rexhaj, i cili është nga Suhareka, ka lënë numrin e telefonit dhe numrin e xhirollogarisë në adresë të Gazetës, nëse dikush lajmërohet për ta ndihmuar.
Zyra e Drejtorit të SHSKUK-së në një përgjigje për Gazeta Shneta thotë se janë dërguar kërkesat në MSH për furnizim dhe janë në pritje.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë deklaron se ende nuk kanë marr kërkesa nga ky institucion.
“Kontrata e rregullt për furnizim me faktorin IX, tashmë është e nënshkruar nga Ministria me Operatorin Ekonomik, dhe MSh konkretisht Departamenti Farmaceutik i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, do të fillojë të bëjë furnizimin e rregullt me këtë bari, pasi të marr kërkesat e rregullta për furnizim nga ana e ShSKUK-së”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Por kërkesat janë dorëzuar në MSH. Është Spitali i Prizrenit që ka bërë dy kërkesa për furnizim me këtë medikament, njërën më 17 janar për tremujorin e parë dhe tjetrën më 6 mars për tremujorin e dytë. Të dy këto dokumente i posedon Gazeta, por asnjëra prej tyre nuk ka marr përgjigje nga MSH.
Me mungesë të barnave po përballen edhe disa kategori tjera të pacientëve me sëmundje kronike. Poashtu MSH ka lënë spitalet edhe pa shumë materiale tjera të cilat janë elementare për shërbimet ndaj pacientëve. /Gazeta Shneta/