Një paciente ka ndarë publikisht mirënjohjen e saj të thellë për stafin e Klinikës së Gjinekologjisë, pas një përvoje të ndërlikuar të lindjes para kohe, e cila përfundoi me sukses falë profesionalizmit dhe kujdesit të ekipit mjekësor.
Në letrën e saj falënderuese, pacientja përshkruan me detaje momentet e vështira që përjetoi më 4 nëntor, kur u dërgua me urgjencë në spital, transmeton Gazeta Shneta.
Ajo vlerësoi ekipin e ambulancës që reagoi me shpejtësi dhe korrektësi, duke e shoqëruar me fjalë të mira dhe qetësi deri në repartin e urgjencës.
Pacientja solli në jetë vajzën e saj në javën e 34-të të shtatzënisë, në një operacion që u përmbyll me sukses falë punës së koordinuar të mjekëve dhe infermierëve.
Pas operimit, ajo qëndroi 24 orë në kujdes intensiv, ku sipas saj u trajtua me përkushtim maksimal, pastërti dhe vëmendje të vazhdueshme. Më pas, qëndroi për 14 ditë në repartin e lehonave me prerje cezariane, periudhë gjatë së cilës u ndje e mbrojtur, e respektuar dhe e përkujdesur nga i gjithë stafi.
Ndërkohë, vajza e porsalindur u mbajt në inkubator në repartin e neonatologjisë, ku ekipi mjekësor ofroi çdo kujdes të nevojshëm për përmirësimin e saj. Pacientja vlerësoi lartë përkushtimin, rregullin dhe humanizmin e stafit, që sipas saj i dhanë forcë dhe shpresë në ditët më të vështira.
“Falë jush, vajza ime u përmirësua dita–ditës dhe u kthyem në shtëpi të lumtura e të shëndosha. Ju ma bëtë përvojën në spital sa më të lehtë dhe njerëzore. Nga zemra, faleminderit për çdo gjë”, shkroi ajo në fund të letrës.
Letra e plotë:
Letër falënderimi për Stafin e Gjinekologjisë – Spitali i Prishtinës
E nderuara drejtori dhe i gjithë stafi mjekësor i Gjinekologjisë në Prishtinë,
Me këtë letër dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim më të thellë për kujdesin, profesionalizmin dhe humanizmin që më keni ofruar nga momenti i parë e deri te dalja ime nga spitali.
Më 4 nëntor, ambulanca erdhi në banesën time me një shpejtësi, korrektësi dhe profesionalizëm që rrallë e kam parë. Me mirësjellje dhe fjalë të mira më shoqëruan deri në urgjencë, ku u pranova me respekt dhe shumë kujdes. Çdo procedurë u krye me përpikëri, me maturi dhe me një komunikim të jashtëzakonshëm që më bëri të ndihem e sigurt dhe e qetë.
Në sallën e operimit, ku solla në jetë vajzën time para kohe, në javën e 34-të, pata përballë një ekip të mrekullueshëm profesionistësh – nga doktori deri te motrat – të gjithë me një përkushtim të rrallë dhe një dashamirësi të veçantë. Operacioni kaloi shumë mirë falë punës suaj të palodhshme.
Pas operimit, kalova 24 orë në intensiv, ku u trajtova me kujdes maksimal. Pastërtia, korrektësia, respekti dhe dashuria që treguat ndaj meje si paciente janë gjëra që nuk harrohen lehtë.
Më pas vijuan 14 ditë në repartin e lehonave me prerje cezariane, ku sërish u ndjeva e mbështetur dhe e përkujdesur në çdo hap. Ndërkohë, vajza ime qëndroi në intensiv në inkubator, ku edhe ajo pati kujdes të nivelit më të lartë. Stafi juaj i dha asaj çdo vëmendje që i duhej – pastërti, rregull, profesionalizëm dhe mbi të gjitha shumë zemër. Na dhatë kurajo, forcë dhe shpresë në ditët tona më të vështira.
Falë jush, vajza ime u përmirësua dita–ditës dhe erdhëm në shtëpi të lumtura dhe të shëndosha. Edhe pse spitali nuk është vend i lehtë për asnjë nënë, ju ma bëtë përvojën më të mirë të mundshme. U ndjeva e respektuar, e mbrojtur dhe e vlerësuar deri në momentin kur dola me vajzën time në krah.
Nga zemra, faleminderit për çdo gjë.
Respekti, profesionalizmi dhe humanizmi juaj do të mbeten gjithmonë të paharrueshme.
Me mirënjohje të thellë,
M.Selmani




