Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka deklaruar se kanë nisur procedurat për ta furnizuar QKUK-në me bartëse për pacientë.
Kjo nismë e MSH-së është marr pas raportimit të Gazetës Shneta me anë të një fotografie ku shihet një pacient duke u bartur me batanije nga familjarët e tij.
Ismaili ka deklaruar në emisionin Frontal në T7 se tanimë janë porositur bartëset e pacientëve. “Pas këtij raportimi të medias ne kemi nisur procedurën për të furnizuar me bartëse të pacientëve”, ka thënë ministri.
Ai ka komentuar edhe fotografi të tjera dhe problemet e shumta me të cilat përballet shëndetësia. Ismaili është zotuar se kjo gjendje nuk do të zgjasë shumë dhe se reformat do realizohen. Ismaili ka deklaruar se përgjegjësitë do t’i vihen secilit që nuk e kryen punën e tij.
Ministri ka folur edhe për heqjen e listës së pritjes së pacientëve për stenta në Kardiokirurgji duke thënë se është ndalur mundësia e keqpërdorimit në kurriz të pacientëve. /Gazeta Shneta/