Instituti i Mjekësisë së Punës në Gjakovë e ka kontraktuar aparaturën e densitometrisë me kompaninë e njëjtë, pas vendimit të OSHP-së që lënda të rikthehej në rivlerësim.
Instituti i Mjekësisë së Punës në Gjakovë e ka shpallur fitues kompaninë “KosovaMed” për kontratën e furnizimit me pajisjen mjekësore “Densitometër”. Kjo kontratë i ka kushtuar institucionit mbi 68 mijë Euro, shkruan Gazeta Shneta.
Pasi e kishte shpërblyer kompaninë me kontratë, drejtori i këtij institucioni Albert Lila mori vendim për anulim. Lila tha se këtë e bëri meqë QKUK e kishte blerë pajisjen pothuajse të njëjtë në vitin 2020 me çmim mbi 36 mijë euro.
“Ne kete baze dhe me kete prove, une si Drejtor kam marre vendim te anuloje tenderin me qellimin qe te sigurojme mundesin qe te prevenoijme keqperdorim e shpenzimit te parase publike”, ka deklaruar Lila.
Por kompania që u shpall fituese “KosovaMed” ushtroi ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kjo e fundit e riktheu në rivlerësim meqë sipas vendimit palët janë pajtuar që të gjejnë zgjidhje.
“Përfundon procedura e shqyrtimit në këtë çështje administrative, për shkak të pajtimit të arritur mes palëve, Instituti i Mjekësisë Punës Kosovës në cilësinë e Autoritetit Kontraktues dhe Operatorit Ekonomik KosovaMed Healthcare SH.P.K., lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘RISHPALLJE- Furnizim me paisje mjekesore – DENSITOMETRI’, me numër të prokurimit 72701-23-8314-1-2-1”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte 80 mijë euro. Në tender kanë ofertuar edhe dy kompani të tjera, “Interlab” me 67 mijë Euro dhe “KO MED” me 68,250 Euro. /Gazeta Shneta/




