Për 350 vende për specializantë, në konkursin e fundit janë bërë rreth 600 aplikime. Edhe në këtë konkurs lëmia më e kërkuar ka qenë mjekësia familjare. Deputetë të opozitës thonë se as ky konkurs nuk do të zgjidhë problemin e mungesës së stafit nëpër institucione shëndetësore.
Mbi 600 aplikime janë bërë në konkursin e fundit për specializantë të hapur nga Ministria e Shëndetësisë.Ky institucion hapi konkursin për 350 vende për specializantë për lëmi të ndryshme.
Megjithëse prioritare nuk ishte edhe specializimi për mjekësi familjare, kjo kategori ka më së shumti aplikime, sipas disa antarëve të bordit. Por, nga Ministria e Shëndetësië në një përgjigje, kanë thënë ndryshe.
Sipas këtij institucioni, interesimi më i madh ka qenë për Farmaci Klinike, Anesteziologji, Mjekësi Interne.
Gjatë periudhës sa ka qenë i hapur konkursi për Shkollim Specialistik, sipas informatave të marra nga bordi, janë pranuar mbi 600 aplikime. Sipas informatave nga Bordi për Shkollim Specialistik, interesimi më i madh ka qenë për: Farmaci Klinike, Anesteziologji, Mjekësi Interne. Konkursi për Shkollim Specialistik është hapur me datën 08 maj 2023 dhe është mbyllur 15 ditë pas shpalljes së konkursit. Bordi për Shkollim Specialistik aktualisht është në proces të shqyrtimit të aplikacioneve dhe pas përfundimit të shqyrtimit, në ëeb faqen zyrtare të MSh-së do të publikohen rezultatet e konkursit”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.
Numri i aplikimeve po vlerësohet i ulët nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i cili thotë se me këtë konkurs nuk do të zgjidhet mungesa e stafit shëndetësor në institucione.
“Tani interesimi me atë se çfarë po e shohim çdo ditë interesimi i mjekëve të ri është të e përfundojnë specializimin në Gjermani, edhe pothuajse shumica e tyre në fund të fakultetit të Mjekësisë regjistrojnë kurse të gjuhës gjermane, prandaj edhe interesimi në konkursin e fundit nuk ka qenë sikur në vitet paraprake”, ka deklaruar Bekim Haxhiu, Deputet i PDK-së.
Haxhiu shton se me udhëzimin e ri administrativ nuk parashihet ndonjë ndëshkim për specializantët që pasi të përfundojnë shkollimin nuk qëndrojnë në Kosovë.
Ndërsa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, insistojnë se ky konkurs do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së krijuar me staf.
“Pa diskutim jo gjithcka mund të rregullohet me një konkurs të vetëm por që prioritet janë marr fushat që kanë qenë deficitare që kanë qenë në mungesë të kuadrove, përkatëse dhe derisa është bërë një kalkulim i tillë është nxjerr edhe udhëzimi administrativ, për të gjithë procedurën e shkollimit speicialistik, sigurisht që sado pak do fillojë të përmirësohen të evitohen këto mungesat e shumta që janë krijuar”, ka thënë Labinotë Demi- Murtezi – Deputete e LVV-së.
Në këtë konkurs, si kategori prioritare janë vendosur 13 drejtime, në mesin e tyre, anesteziologjia, mjekësia emergjente dhe neonatologjia.
Viteve të fundit, institucionet publike janë duke u përballur me mungesë të stafit shëndetësor, si shkak i largimit të tyre nga Kosova, apo edhe kalimit nga sektori privat në atë publik./RTV Dukagjini/




