Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ministri i Shëndetësisë ka shprehur respekt dhe mirënjohje për kontributin e grave në shoqëri, veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe shkencës.
Ai theksoi se gratë, me punën dhe dijen e tyre, kanë zgjeruar vazhdimisht hapësirën e barazisë, duke shtuar se barazia nuk është dhuratë, por ndërtohet çdo ditë me punë, dije dhe qëndresë, përcjell Gazeta Shneta.
Ministri shprehu mirënjohje të veçantë për profesionistet e shëndetësisë, mjeket, infermieret, mamitë dhe të gjitha gratë që çdo ditë kujdesen për shëndetin e pacientëve dhe për funksionimin e sistemit shëndetësor.
Sipas tij, gratë kanë rol vendimtar edhe në zhvillimin e shkencës, veçanërisht në mjekësi, kërkim shkencor dhe universitete, duke hapur rrugë për gjenerata të reja profesionistesh.
Në kuadër të kësaj dite, ministri së bashku me Kryetaren e Kuvendit vizituan dy nga gratë me ndikim të madh në shoqërinë kosovare: Dr. Gjyle Mulliqin, mikrobiologen e parë në Kosovë, dhe Dr. Drita Berishën, gastroenterologen e parë në vend.
Dy mjeket u vlerësuan si pioniere të mjekësisë në Kosovë, të cilat për dekada i kanë shërbyer pacientëve dhe sistemit shëndetësor, duke qenë njëkohësisht frymëzim për shumë gjenerata të reja. /Gazeta Shneta/




