Për pesë muaj, mbi 800 kosovarë kanë kërkuar para për shërim jashtë Kosovës

2017-11-02 në ora 13:04

Elda Krasniqi është vetëm një nga shumë fëmijët tjerë kosovarë që u diagnostikua me probleme në zemër. Elda e vogël posa erdhi në jetë u detyrua të shkojë jashtë vendit për shërim, pasi që mjekimi i saj nuk mund të bëhej në Kosovë.

Për këtë punë, Ministria e Shëndetësisë i ndau rreth 30 mijë euro. E, shërim në Kosovë nuk po mund të gjejnë qindra pacientë të tjerë. Ata po mësyjnë vendet evropiane për t’ia gjetur ilaçin vetes.

Mungesa e barnave, aparaturave për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme e mosbesimi në institucionet publike shëndetësore janë vetëm disa nga arsyet që qytetarët e Kosovës detyrohen të marrin rrugë drejt shteteve evropiane për t’ia gjetur ilaçin vetes.

Veç për pesë muaj nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, janë shpenzuar afro 1 milion e gjysmë euro për shërim jashtë Kosovës.

Express ditë më parë ka raportuar se si një foshnjë e porsalindur në QKUK është diagnostikuar me probleme me zemër. Shërimi i saj nuk mund të bëhej në Kosovë, andaj familja kërkonte ndihmë financiare për shërim.

Nëna e foshnjës, Sadbere Krasniqi, kishte thënë për Express se për shërimin e vajzës Ministria e Shëndetësisë i kishte ndarë 30 mijë euro. E rreth 30 mijë të tjera i duheshin familjes së Eldas së vogël për ta dërguar atë për shërim jashtë Kosovës.

Ndërkaq, numri i pacientëve që po kërkojnë shërim jashtë Kosovës po del të jetë mjaft i madh. Gjatë muajve qershor, korrik, gusht, shtator e tetor në Zyrën për Trajtimin e pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike në Ministrinë e Shëndetësisë kanë qenë 869 qytetarë të cilët kanë bërë kërkesa për shërim jashtë vendit, shkruan Gazeta Express.

Sipas të dhënave që zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë i kanë dërguar Gazetës Express, shumica e kërkesave për shërim jashtë Kosovës kanë të bëjnë me sëmundjet e zemrës.

Për këtë lëmi për pesë muaj kanë qenë 232 pacientë me probleme të zemrës që kanë kërkuar ndihmë. Me probleme në sy kanë qenë 182 kërkesa për shërim. Ortopedi, 105, pediatri kanë qenë 88. Edhe për sëmundjet malinje rreth 50 kosovarë për 5 muaj kanë kërkuar ndihmë financiare për shërim, kirurgji kanë qenë 26 kërkesa, kardiokirurgji 52, Nefrologji 24, ORL 20 si dhe 90 pacientë të tjerë kanë kërkuar ndihmë financiare në MSH për shërimin e sëmundjeve nga të cilat ata lëngojnë.

Afro 1.5 milion euro për pesë muaj shpenzohen nga buxheti i Kosovës për shërim jashtë vendit

E nga buxheti i shtetit shpenzohet shuma të mëdha për trajtime jashtë institucioneve publike shëndetësore të Kosovës. Mungesa e aparaturave dhe trajtimeve të duhura janë disa nga arsyet që kosovarët po kërkojnë zgjidhje në vendet perëndimore.

Për 232 kërkesa të pacientëve për shërim jashtë Kosovës, nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë veç për pesë muaj janë shpenzuar 1 milion e 350 mijë euro.

Ndërsa sipas ekspertëve, shpenzimet do të zvogëloheshin sikur në Kosovë të implementohej Ligji për Sigurime Shëndetësore. Ky ligj dështoi edhe këtë vit, pasi u shty mbledhja e premiumeve, e paraparë të fillonte më 1 korrik.

Megjithëkëtë, buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë, për vitin e ardhshëm është paraparë që të ketë rritje. Qeveria e Kosovës ka parashikuar që për vitin 2018, buxheti për shëndetësi nga 180 milionë, të rritet në 200 milionë euro. Këtë e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili. /GazetaExpress/