Qytetarët e Gjilanit përballen prej kohësh me një problem shqetësues në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Nagip Rexhepi” – mungesa e gjërave esenciale për trajtimin shëndetësor.
Situata është përkeqësuar aq shumë, sa që ata janë të detyruar të blejnë vet pajisjet dhe mjetet mjekësore për të marrë shërbime bazike.
Një rast i fundit i një qytetari, i cili kishte shkuar për të marrë një injeksion në QKMF, tregon se sa e vështirë është bërë kjo situatë. I dëshpëruar nga mungesa e shiringave në qendër, ai u detyrua të dalë dhe të blejë një pako me shiringa nga xhepi i tij. Për t’i ardhur në ndihmë të tjerëve, ai vendosi që këto shiringa t’ia dhurojë QKMF-së, në mënyrë që qytetarët e tjerë të mos kenë nevojë të largohen nga qendra për të blerë pajisjet e nevojshme.
I pyetur për këtë veprim, qytetari anonim shprehu zhgënjimin e tij të thellë për situatën e krijuar në qytetin e Gjilanit. Sipas tij, kjo situatë është shumë shqetësuese dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale dhe qendrore për të furnizuar QKMF-në me mjetet esenciale. Ai theksoi se jo të gjithë qytetarët kanë mundësi ekonomike për të blerë vet pajisjet e nevojshme për trajtimet mjekësore.
Ky rast tregon mungesën e menaxhimit të duhur të furnizimeve në institucionet shëndetësore dhe sjell në pah nevojën urgjente për përmirësime në këtë fushë. Situata e krijuar është një thirrje për autoritetet që të veprojnë sa më parë, në mënyrë që të garantojnë trajtime dinjitoze dhe pa kosto shtesë për qytetarët e Gjilanit./Radio Star Gjilani/





