Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare kirurgët kanë kryer 881 operacione nga janari deri në shtator të këtij viti. Dikush prej tyre ka kryer vetëm 12 operacione ndërsa dikush tjetër 128. Nga këto operacione vetëm 15 prej tyre janë aneurizma të aortës abdominale
Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare 13 kirurgë kanë kryer 881 operacione nga janari deri në shtator të këtij viti. Nga kjo shifër më së shumti janë kryer intervenime të venave varikoze, gjithsej 242, pastaj 188 fistula arterio-venoze si dhe 118 amputime të shputës diabetike, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka siguruar raportin e plotë të performancës së kirurgëve vaskularë. Dikush prej tyre ka kryer vetëm 12 operacione si operator kryesor, ndërsa dikush tjetër 128 sosh.
Është kirurgu Daut Çejku i cili ka bërë vetëm 12 operacione si operator kryesor. Derisa drejtori i kësaj klinike, Hajriz Rudari ka kryer 128 operacione si operator kryesor ndërsa 52 sosh si asistent.
I dyti me më së shumti operacione është Lulzim Vokrri me 116 operacione, ndërsa pas tij është Luan Jaha me 75 sosh.
Pak operacione kanë edhe Harieta Zherka-Saracini me 20 intervenime si operatore kryesore, dhe Elmi Olluri me 34 sosh.
Bekim Ademi si operator kryesor i ka kryer 81 operacione, ndërsa Laura Leci-Tahiri i ka operuar 46 pacientë. Burim Ukperaj i ka realizuar 91 operacione si operator kryesor, ndërsa Ahmet Cani 86 sosh.
Me 10 operacione më pak se Cani është kirurgu Driton Parduzi, derisa Edon Zylfiu i ka realizuar 59 intervenime.
Ramë Gashani ka kryer 75 operacione si operator kryesor.
Kirurgët vaskularë në këtë periudhë janar-shtator kanë kryer vetëm 34 raste të Stenozës së arterieve karotide dhe jo më shumë se 15 raste të Aneurizmave të aortës abdominale.
Publikimi i shifrave të kirurgëve brenda vitit 2022 është seri e artikujve të Gazetës Shneta pas sigurimit të dokumenteve të performancës së mjekëve në QKUK. Këto dokumente janë siguruar përmes Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare. Kërkesa e Gazetës është respektuar nga SHSKUK vetëm pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. /Gazeta Shneta/