Më 28 shkurt ka përfunduar projekti ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe organizatës joqeveritare “Caritas Kosova”, ndonëse projekti dy vjeçarë nuk u vazhdua më, 325 punëtorë nuk janë paguar për punën e bërë tash e gjashtë muaj shkruan Gazeta Shneta.
Mos transferimin e pagave për punëtorët shëndetësorë të “Caritas Kosova” e ka konfirmuar menaxheri i kontratave të punëtorëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Xhevdet Haxhidema duke u arsyetuar se për shkak të bllokimit të llogarisë bankare të Komunës së Ferizajt nuk kanë arritur që të kryejnë pagesat me kohë.
“Për rrjedhojë nuk ka pas mundësi të bëhet pagesa e faturës në llogari të “Caritas Kosova”. Tani që llogaria e Komunës është liruar, në javën e kaluar janë paguar dy fatura, e rrjedhimisht edhe punëtorët i kanë marrë dy paga”, thotë ai për Gazetën Shneta, duke shtuar se shpreson shumë që së shpejti do të bëhet pagesa e të gjitha faturave.
Në janar të këtij viti mësimdhënësit e komunës së Ferizajt patën dërguat tek përmbaruesi komunën pasi që kjo e fundit nuk i kishte kryer disa nga obligimet financiare ndaj tyre dhe si rrjedhojë e kësaj ministria e Financave pati bllokuar xhirollogarinë bankare të komunës.
Në anën tjetër, drejtori i shëndetësisë në Komunën e Ferizajt thotë për Gazetën Shneta se gjatë muajit mars dhe prill do të bëhet transferimi i të gjitha pagave të mbetura.
Mantelbardhët të cilët për dy vite kanë punuar në qendrat mjekësore në Ferizaj në kuadër të organizatës “Caritas Kosova” shpesh herë janë ankuar për vonesa në paga dhe mungesë të kontratave të punës.
Përmes këtij projekti i cili zgjati dy vite kanë qenë të punësuar 325 punëtorë shëndetësor.
Aktualishtë në qendrat mjekësore në Komunën e Ferizajt janë vetëm 35 mjekë familjarë.
Problem me paga kanë edhe 19 punëtorë shëndetësor në Komunën e Shtimës të cilët poashtu punojnë në kuadër të “Caritas Kosova” për të cilën ka raportuar Gazeta Shneta.