Është përuruar sot libri “Gjinekologjia me obstetrikë – Për infermierë dhe mami” të bashkëautoreve Prof. Dr. Myrvete Paçarada dhe Vlora Ibishi e Niltene Kongjeli. Libri është vlerësuar nga recensentët nga Shqipëria, dy profesorët Astrit Bimbashi dhe Rubena Moisiu
Rektori Marjan Dema e ka vlerësuar lart punën shkencore dhe pedagogjike të profesoreshës Myrvete Paçarada. “Ky libër është i çmuar për ne për faktin se kemi mungesë të theksuar të librave në gjuhën shqipe. Shumica e librave nga niveli mastër e tutje janë në gjuhë të huaja ose të përkthyera në shqip”, ka deklaruar Dema. Ai i ka ndarë Paçaradës edhe një mirënjohje për punën e saj në prag të pensionimit.
Autorja e librit Prof. Dr. Myrvete Paçarada ka shprehur mirënjohjen e saj për bashkëautoret si dhe për vlerësimet që i janë bërë nga të pranishmit. Ajo ka thënë se puna e gjatë për këtë libër ka qenë e lodhshme, por fal ndihmës nga kolegët gjinekologë dhe mami është përfunduar. “Jam e vetëdijshme që ky libër është versioni i parë dhe gjatë ribotimit mund të shtohet ndonjë kapitull sipas sugjerimeve nga kolegët”, ka deklaruar Paçarada.
Recensenti i librit Prof. Dr. Astrit Bimbashi fillimisht kërkoi falje për vonesën, ndërsa tha se ndihet i kënaqur sa herë që vjen në Kosovë. Ndonëse njëri nga recensetët, Bimbashi foli pak për librin. Ai ka thënë se libri është një mbyllje e mirë e karrierës pedagogjike për Paçaradën. “Është një libër bashkëkohor dhe në thelb është i domosdoshëm për profesionin e mamive”, ka deklaruar Bimbashi.
Recensentja tjetër Prof. Dr. Rubena Moisiu, e ka quajtur libër të bukur. “Unë dhe kolegu im e kemi parë këtë libër të mbushet me brum. Ideja ka qenë më e thjeshtë, një libër i thjesht për stafin e mesëm por tani jo vetëm është libër për mamitë por edhe për mjekët e rinj sepse ka koncepte të reja. Më bëhet qejfi që jeni bërë me një libër kaq të bukur”, ka deklaruar ajo.
Bashkëautorja e librit Vlora Ibishi ka thënë se duke qenë dëshmitar të zhvillimeve në fushën e infermierisë dhe mamisë, është vërejtur mungesa e literaturës nga fusha e gjinekologjisë me obstetrikë. “Kjo ka qenë pikënisja jonë që t’i përvishemi punës, me idenë e profesoreshës, me një përkushtim të madh na ka marr kohë të gjatë të arrijmë deri sot në promovim të librit”, ka deklaruar ajo.
Bashkëautorja tjetër Niltene Kongjeli ka thënë se libri me një mjeshtri të pashoq tregon për mjekët obstetër gjinekolog dhe mamitë të cilët punojnë në mënyrë të pandalshme për më të çmuarën, jetën e re. “I jam mirënjohëse bashkëautoreve që me punë të përbashkët kemi arritur që të gjejmë balancim për konceptet e punës teorike dhe praktike. Kjo e bën edhe diferencën që të jesh gjinekolog ose mami nuk është vetëm privilegj por edhe përgjegjësi e madhe”, ka thënë Kongjeli. /Gazeta Shneta/