Në Klinikën Vatan Med punuan edhe profesionistë pa licencë për çka u gjobitën nga Inspektorati Shëndetësor si dhe iu ndalua puna
Klinika Vatan Med ka qenë cak i organeve të shtetit për bastisje e inspektime gjatë këtyre ditëve për shkak të dyshimeve për shkelje ligji dhe shmangie tatimi, shkruan Gazeta Shneta.
Një inspektim është kryer më datën 17 mars të këtij viti nga Inspektorati Shëndetësor ku është gjetur se në këtë klinikë kanë punuar katër profesionistë jo-kosovar pa licencë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Menaxheri i ketij institucioni nuk ka respektuar rregulloret dhe ligjet e aplikueshme pasi që janë hasur përsona me uniforma shëndetësore duke ofruar shërbime shëndetësore pa pasur leje/autrizim të përkoheshem nga MSh konform Udhezimit Administrativ 06/2012”, ka deklaruar kryeinspektori Shaban Osmanaj.
Ai ka thënë se ndaj klinikës si dhe ndaj katër profesionistëve janë shqiptuar gjoba administrative, si dhe iu është ndaluar veprimtaria.
“Ndaj Klinikës si dhe ndaj 4 profesionistëve janë shqiptuar gjoba administrative, si dhe i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë përsonave të lartecekur deri në marrje të licences/autorizimit të përkoheshem nga MSh, kurse institucionit i është kërkuar plotësimi i kushteve për ushtrimin e veprimtarive shëndetësore përkatëse. Pra, në të dy rastet si inspektimi i parë dhe ri inspektimi janë gjobitur menaxheri dhe profesionistët shëndetësor që nuk kanë pasur licence pune apo leje të perkoheshme sipas Udhëzimit Administrativ Nr 06/2012 për licencim të përkoheshem të profesionistëve shëndetësor Jo-Kosovar. Lidhur me rastin e inspektimit dhe ri inspektimit të institucionit në fjalë janë të njoftuar organet relevante hetuese me të cilat dhe kemi bashkëpunuar”, ka deklaruar Osmanaj.
Ndërkaq gjatë ditës së djeshme kjo klinikë është bastisur edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës si dhe nga Policia e Kosovës nën dyshimet për shmangie tatimi.
ATK ka bërë të ditur se është konstatuar mospërputhje e deklarimeve në raport me informatat të cilat janë siguruar nga palët e treta.
“Sot Administrata Tatimore e Kosovës, konkretisht Departamenti i Hetimeve Tatimore në asistencë të Policisë së Kosovës ka zhvilluar aksion hetimor në Prishtinë. Qëllimi i ndërmarrjes së këtij aksioni ishte hetimi i transaksioneve biznesore tek një kompani, të cilat transaksione bazuar në informatat e pranuara nga palët e treta, si dhe krahasimit të tyre me informatat me të cilat disponojmë në databazën e ATK-së, kemi konstatuar mospërputhje të deklarimeve të bëra në ATK ne raport me informatat të cilat janë siguruar nga palët e treta”.
“DHTI pas ndjekjes së të gjitha procedurave më Prokurorin dhe pas aprovimit të urdhëresës për bastisje nga ana e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, me qëllim të sigurimit të fakteve kemi zhvilluar një aksion kontrolli ( bastisje ). Aksioni është zhvilluar ne dy lokacione tek i njëjti biznes, i cili veprimtari primare ka aktivitetet e mjekësisë së specializuar, ku gjatë aktivitetit si provë materiale tek ky biznes janë sekuestruar përkohësisht: Dokumentacion kontabël; Fatura të shitjes së shërbimeve; Evidencën e klientëve për shërbimet e kryera ( pagesat ); Lista e produkteve në stoqe; 2 USB; Ekstraktimi i dosjeve elektronike nga 5 kompjuterë, si dhe shënime të tjera relevante rreth rastit”, thuhet në njoftimin e ATK’së. /Gazeta Shneta/