Një hapësirë e cila është shfrytëzuar për tualet dhe pastrim në Kardiologjinë Invazive në QKUK, është mbuluar nga pisllëku dhe papastërtia.
Ndonëse në Klinikën e Kardiologjisë Invazive në QKUK janë bërë investime së fundmi nga menaxhmenti, si duket nuk iu është kushtuar vëmendje edhe hapësirave për nevoja fiziologjike të stafit dhe pacientëve, shkruan Gazeta Shneta.
Një anëtar i stafit mjekësor të kësaj klinike ka dërguar disa fotografi në adresë të Gazetës Shneta, i cili është ankuar për këtë gjendje. Ai nuk ka pranuar të deklarohet publikisht, por ka thënë se përveç papastërtisë kjo hapësirë e cila më parë ka qenë funksionale, tani është bërë burim i infeksioneve.
Gazeta ka adresuar këto pamje tek menaxhmenti i QKUK-së si dhe ka kërkuar sqarime pse është lënë kjo banjë në këtë gjendje pas investimeve që janë kryer në klinikë, por zyrtarët kanë zgjedhur të heshtin.
Nyjet sanitare të dëmtuara, tualetet jo funksionale dhe papastërtia në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare, nga papërgjegjësia institucionale nuk përbëjnë lajm tash e një kohë të gjatë. /Gazeta Shneta/