Policia e Kosovës ka ndaluar sot një furgon me targa të Serbisë afër vijës kufitare të Serbisë brenda së cilit ka gjetur 62 copë thasë të mbushura me kafe, në sasi rreth 3600 kilogramë, e cila dyshohet se është kontrabanduar nga Serbia në Kosovë.
“Policia e Kosovës respektivisht Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë – Veri ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra, ku me datën 05.12.2025 rreth orës 10:40 në fshatin Joshanicë-KK. Leposaviq, afër vijës kufitare me Serbinë, është ndaluar një furgon i dyshuar me targa të Serbisë”, tha policia.
Lidhur me rastin, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar një person i dyshuar i cili pas intervistimit është liruar, ndërsa automjeti dhe malli janë dërguar në terminalin doganor përkatës për trajtim të mëtutjeshëm nga njësitë e Policisë së Kosovës dhe Dogana e Kosovës.



