Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), në bashkëpunim me Këshillat e Pacientëve dhe partnerë relevantë, organizoi një tryezë diskutimi me temën “Parandalimi i personalizuar”, në kuadër të shënimit të Ditës Evropiane të të Drejtave të Pacientëve.
Kjo ditë shënohet çdo vit më 18 prill në gjithë Evropën dhe synon rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat e pacientëve, si dhe reflektimin mbi funksionimin e sistemeve shëndetësore në raport me nevojat e qytetarëve.
Diskutimi i këtij viti u përqendrua në forcimin e parandalimit në sistemin shëndetësor, me theks në qasjet e personalizuara që marrin parasysh rrezikun dhe nevojat individuale. U theksua se, në kushtet e rritjes së sëmundjeve kronike dhe kërkesave për shërbime shëndetësore, parandalimi mbetet ndër mekanizmat më efektivë për përmirësimin e shëndetit publik dhe uljen e kostove afatgjata.
Gjatë tryezës u identifikuan sfida si mungesa e koordinimit ndërmjet niveleve të kujdesit shëndetësor, qasja e kufizuar në shërbime dhe nevoja për politika më të integruara që e vendosin parandalimin në qendër të sistemit.

Në panel morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe të organizatave shëndetësore përfshirë Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Haxhi Avdyli; përfaqësuesen e IKSHPK-së, Valbona Zhjeqi; Drejtorin e Divizionit të Kujdesit Parësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Shaban Osmanaj; përfaqësuesen e projektit AQH, Elvira Rasimi; si dhe Drejtorin Ekzekutiv të PRAK, Agron Bytyqi. Të pranishëm ishin edhe drejtorë të Qendrave të Mjekësisë Familjare, përfaqësues të këshillave të pacientëve dhe organizata të shoqërisë civile.
Nga diskutimet dolën disa rekomandime kryesore: fuqizimi i shëndetit publik dhe i rolit të tij në parandalim; forcimi i kujdesit parësor si pika e parë e kontaktit; avancimi i përzgjedhjes së mjekut familjar dhe funksionalizimi i listave të pacientëve; rritja e edukimit shëndetësor; funksionalizimi i Sistemit të Integruar të Informimit Shëndetësor; përmirësimi i mekanizmave të feedback-ut dhe llogaridhënies; mbështetja e këshillave të pacientëve dhe organizatave të shoqërisë civile; si dhe rritja e fondeve për masa parandaluese.
PRAK theksoi se përmirësimi i sistemit shëndetësor kërkon zhvendosje nga qasja e fokusuar në trajtim drejt një modeli që prioritizon parandalimin, zbulimin e hershëm dhe menaxhimin e rrezikut shëndetësor.
Aktiviteti u realizua me mbështetjen e projektit të AQH-së, që synon avancimin e të drejtave të pacientëve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë. /Gazeta Shneta/




