Kardiologu Bajraktari po pretendon se në Kardiokirurgji dhe Kardiologji Invazive është shtuar numri i pacientëve të vdekur. Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka mohuar duke thënë se këto pretendime janë qëllimkëqija për të krijuar panikë tek pacientët që ata të shkojnë në spitale private
Kardiologu Gani Bajraktari para dy ditësh doli në një nga televizionet nacionale me pretendime se ka bërë një studim në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, për vdekjet e pacientëve. Ai po pretendon se numri i pacientëve të vdekur është rritur ndjeshëm, ndërsa ka kritikuar menaxhmentin e SHSKUK-së, si dhe ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili.
Ndërkaq sot pretendimet e tij i kanë mohuar dy koleg të tij, Dr. Basri Sejdiu dhe Dr. Tefik Bekteshi. Ata në një konferencë për media kanë mohuar të jetë rritur numri i vdekjeve në këtë klinikë, e madje pretendimet e Bajraktarit i kanë quajtur qëllimkëqija ndaj të cilave pritet të merren edhe masa, shkruan Gazeta Shneta.
“Tendenca për krijimin e panikut tek pacientët nga individë të caktuar me qëllime të ulta, që pacientët të mos trajtohen këtu, por në spitale private”, ka deklaruar Sejdiu.
Sejdiu ka akuzuar Bajraktarin se kishte krijuar panik tek një pacientë para disa javësh, për ta nxitur që të shkonte në një spital privat, por sipas tij këtë nuk e kishte lejuar vet ai.
“Vet kam qenë dëshmitar për këtë individ i njëjti ka referuar pacientin në ordinancë private por ne e kemi rikthyer në QKUK. Kemi arritur që ta ndalim pacientin në ambulancë dhe ta rikthejmë në klinikë ku e kemi kryer koronarografinë”, ka thënë Sejdiu.
“E dimë që QKUK ka qenë zonë tranzite, e dimë që brenda natës një individ ka referuar 16 pacientë për në spitalet private. Nuk kemi asgjë kundër spitaleve private, por është dashur të paguhen shuma të mëdha parashë. Tani vjen në QKUK pa u brengosur”, ka thënë ai.
Sejdiu ka theksuar se janë duke mbledhur prova për parregullsitë e Bajraktarit, ndërsa për deklarimet e tij në media do të dërgohet në Komisionin Disiplinor. Ai ka mohuar se kjo situatë është kthyer në një luftë personale ndërmjet tyre, marrë parasyshë se Bajraktari u suspendua nga puna para disa muajsh pikërisht për shkak të deklaratës së një pacienti i cili kishte thënë se kardiologu e ka referuar për koronarografi në një spital privat.
Në anën tjetër, drejtori i Kardiokirurgjigsë me Kardiologji Invazive, Dr. Tefik Bekteshi, ka deklaruar se vitin e kaluar janë kryer 2517 koronarografi, 1370 procedura me 1670 stentime. Sipas tij, në bazë të këtyre të dhënave vdekshmëria te infrakti akut është 3.58 për qind ndërsa te rastet elektive një vdekje.
Ai ka mohuar akuzat për probleme me cilësinë e stentave, duke deklaruar se ato janë me prejardhje nga Polonia dhe të njëjtat përdoren edhe në vendet evropiane. Bekteshi ka pranuar se kanë mungesë komunikimi me kardiologët.
“Po është e vërtetë që mund të ketë kujdes më të mirë për pacientët e stentuar në Kardiologji. Mund të themi se duhet të shtohet vëmendja e tyre”, ka deklaruar Bekteshi. /Gazeta Shneta/