Temperaturë deri në 39 gradë deri në tre ditë me radhë, ethe, kollë e thatë, lodhje, rrjedhje hundësh dhe dhembje muskujsh janë simptomat që manifestojnë pacientët e prekur me koronavirus ditëve të fundit në Kosovë, thotë infektologu Salih Ahmeti.
Në fund të dhjetorit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë konfirmuar praninë e variantit Omicron të koronavirusit.
Ky variant, i cilësuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është identifikuar për herë të parë në Afrikë të Jugut në muajin nëntor dhe që atëherë është përhapur në qindra vende të botës, duke u bërë dominues në disa.
Sipas Ahmetit, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), manifestimet klinike të Omicronit janë më të buta se ato të Deltës – deri më tash, variant dominues në Kosovë – por, shton ai, Omicron është më i transmetueshëm.
“Në rrethin familjar kur preket një anëtar, virusi pasohet pothuajse te të gjithë anëtarët tjerë”, thotë ai.
“Format e sëmundjes janë më të lehta, prekjet pulmunare janë më të rralla. Po ashtu, ka raste më të rralla të atyre që kanë nevojë për hospitalizim dhe atyre që kanë nevojë për mbështetje me oksigjen apo frymëmarrje të ventiluar”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se pacientët e hospitalizuar, të cilët kanë qenë të vaksinuar me dy doza të vaksinës, kanë treguar formë më të lehtë të sëmundjes se pacientët e pavaksinuar.
Sipas Ahmetit, trajtimi terapeutik për pacientët me Omicron është i njëjtë si për rastet e mëparshme.
Disa nga ilaçet që kërkohen për mjekimin e koronavirusit janë: paracetamol, favipiravir, fraksiparina, enoksaparin, remdesivir, lactoferrina dhe vitamina të ndryshme, varësisht gjendjes së pacientit.