Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Dr. Albena Reshitaj, ka thënë se Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar, ka shumë probleme.
Ajo në RTV Dukagjini, tha se lindja e fëmijës me metodën IVF mund të dërgojë deri te incesti.
“A e dini çka ndodhë nëse fëmijës pas moshës 18 vjeçare që është krijuar nga IVF nuk e njeh prindin gjenetik. Duke pasur parasysh sa e kemi numrin e popullsisë, dhe duke u zvogëluar popullata, probabiliteti i martesës së një fëmije të një vëllai me një motre është shumë i madh”, tha ajo.
Deputetja opozitare tha se kjo është tejet shqetësuese.
“Krijimi i mundësisë për të pasur martesa mes vëllait dhe motrës pastaj për të pasur fëmijë me anomali kongjenitale është shumë e madhe. Për mua është një Hiroshimë dhe Nagasaki”, u shpreh Reshitaj.
Reshitaj tutje tha se në këtë Projektligj është futur dhe i është dhënë rëndësi sterilizimit te të rinjtë.
“Jam fokusuar dhe kam ngritur shqetësimet e mia profesionale e shkencore. Çka ka ndodhur, është marrë udhëzimi administrativ i 2013-tës dhe është vendosur kozmetikë kamuflimi, duke vendosur pjesë që nuk përkojnë fare me fertizilimin e asistuar. Pjesa e sterilizimit, s’ka pasur nervojë të vendoset këtu, ajo është te neni 86 ku thuhet se sterilizimi mund të kërkohet me kërkesën individuale të dy personave”, tha ajo.
Ajo u shpreh se edhe ekspertët e jashtëm kanë vlerësuar se pjesa e sterlizimit duhet të hiqet nga projektligji.
“Nuk e kuptoj çfarë qëllimi politik, që e vendosim sterilizimin këtu. Ku e shënojmë djemtë dhe vajzat tona mund të sterliziohen. Duke pasur trendin e jetës, aktivitetin e gjeneratës së re trendin seksual, një ditë mund t’i bien pishman pse janë sterliziuar, por do të jetë vonë. Pse po ia rikujtojmë edhe një herë, përmes projektligjit”, tha ajo.




