Prizren – Prokuroria Themelore në Prizren ka filluar të mbledh informacione lidhur me rastin e gjinekologut, Sebajdin Gjinit.
Këtë është bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” nga Prokuroria Themelore në Prizren.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se, prokurori i rastit, ka autorizuar policinë për grumbullimin e informatave dhe të ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Ndërkohë, Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, ka liruar gjinekologun Sebajdin Gjini nga pozita e ushtruesit të detyrës së shefit të repartit të Gjinekologjisë/Obsterikë në këtë Spital.
Lirimi i Gjinit nga kjo pozitë, erdhi pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” me titull “Referimet e pacientëve në klinika private”, ku tregohej se si doktori Gjini kishte referuar një paciente në spital privat, për të kryer lindje cezariane të parakohshme.
Më 23 mars 2024, “Betimi për Drejtësi” ka publikuar emisionin hulumtues në të cilën paraqitej referimi i pacientëve në klinika private. Hulumtimi ka treguar rastin e Geonita Zogaj Bytyqi e cila në janar 2022 është referuar nga shefi i repartit të Gjinekologjisë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, Sebajdin Gjini, për të kryer lindjen e parakohshme në Klinikën Amerikane. Përveç deklaratave të çiftit Bytyqi, emisioni shfaq dhe një audio incizim të bisedës mes gjinekologut Gjini dhe bashkëshortit të Geonita Zogajt Bytyqit, Jetmir Bytyqit, i cili kërkon llogari nga gjinekologu për mos operimin e bashkëshortes në Spitalin e Prizrenit.
Në anën tjetër, pas ankesës së bërë Inspektorati Shëndetësor e ka gjobitur gjinekologun Gjini me 2 mijë euro. Vendimin e ka miratuar edhe shkalla e dytë e inspektoratit. Mirëpo, nga Inspektorati Shëndetësor rasti më pas nuk është raportua në Odën e Mjekëve të Kosovës e as në Prokurori të Shtetit. Si dhe gjoba nuk gjendet në dosjen e gjinekologut Gjini në Spitalin e Prizrenit, përkundër se si vendim i ishte dorëzuar vetë atij dhe drejtorit të atëhershëm të spitalit, Afrim Avdaj.
Po ashtu gjatë diskutimit, gjinekologu kërcënon ekipin e emisionit “Betimi për Drejtësi” duke thënë “Urdhëroni përmendeni emri tem, e shihni”.