Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë për arrest shtëpiak për dy mjekët e Spitalit “Sirona”, pasi ata u arrestuan nga Policia e Kosovës nën dyshimet për transplantim të paligjshëm të organeve dhe qelizave njerëzore.
“Deklarimi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë se në spitalin tonë ka qenë një bastisje edhe një Prokuror i Shtetit, me ç’rast janë hasur gjurmë të transplantimit të jashtëligjshëm të organeve dhe qelizave njerëzore është absolutisht i pavërtetë”, thuhet në reagimin e Spitalit “Sirona”, transmeton Gazeta Shneta.
Lexoni reagimin e plotë të Spitalit “Sirona”:
Duke marrë shkas nga deklarimi për media i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, lidhur me inspektimin e kryer nga Inspektorati Shëndetësorë në Spitalin “Sirona”, të cilët ishin të shoqëruar edhe nga Policia e Kosovës, me respekt njoftojmë të gjithë pacientët e spitalit tonë dhe opinionin publikë se:
Ditën e Premtë, me 24 Maj 2019 rreth 15:00 në spitalin tonë është kryer një inspektim nga Inspektorati Shëndetësorë i Ministrisë së Shëndetësisë, të shoqëruar edhe nga Policia e Kosovës.
Objekt i këtij inspektimi ishte vetëm sektori i Frytëzimit të Asistuar Mjekësorë (FAM), me ç’rast janë inspektuar vetëm hapësirat që i takojnë këtij sektori dhe dokumentacionet përkatës.
Menaxhmenti i spitalit “Sirona” ka ofruar bashkëpunim të plotë me zbatuesit e inspektimit dhe me kënaqësi konfirmojmë se përveç disa lëshimeve teknike që janë konstatuar me rastin e inspektimit , nuk është hasur asgjë e jashtëligjshme në këtë sektorë apo ne spitalin “Sirona”.
Deklarimi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë se në spitalin tonë ka qenë një bastisje edhe një Prokuror i Shtetit, me ç’rast janë hasur gjurmë të transplantimit të jashtëligjshëm të organeve dhe qelizave njerëzore është absolutisht i pavërtetë .
Pasaktësia e pretendimeve të Prokurorisë është konfirmuar edhe sot me vendimin e Gjykatës themelore në Prishtinë, me të cilin u rrëzua si e pabazuar kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për dy mjekët e Spitalit tonë dhe të një mjekut të Spitalit Amerikan në Prishtinë.
Spitali “Sirona” garanton pacientët dhe të gjithë qytetarët se do të vazhdojnë me përkushtim punën për të qenë pranë tyre, në menyrë që të gjithë të marrin shërbimin e duhur shëndetësore, cilësorë dhe në kohë.