Spitalit “Sante Plus” në Prishtinë i është pezulluar licenca nga Ministria e Shëndetësisë, por për këtë po del të mos jetë i njoftuar pronari i spitalit Bilal Kara. Të paktën kështu ka deklaruar ai vet në një përgjigje me shkrim për Gazetën Shneta.
Një ditë pasi Gazeta raportoi se MSH ia ka pezulluar licencën spitalit turk në Prishtinë “Sante Plus”, zyrtarët e spitalit janë përgjigjur në pyetjet e Gazetës Shneta. Në përgjigjet e dërguara nga përfaqësuesi ligjor Visar Haxhibeqiri me kërkesë të pronarit Bilal Kara, thuhet se ky i fundit nuk është në dijeni për pezullimin e licencës.
“Fillimisht dua te ju informoj se me daten 29.11.2018 spitali eshte pajisur me licencen e nevojshme nga MSH per ushtrimin e aktiviteteve spitalore. Ne baze te informatave qe posedoj nga pronari i spitalit deri me tani te njejtit nuk kane pranuar asnje shkrese ne lidhje me faktin se licenca e tyre eshte pezulluar”, thuhet në përgjigjen e tyre. Ata shtojnë se janë në procedurë të përgatitjes për fillimin e punës dhe se janë të pajisur me licencë dhe lejet tjera të nevojshme.
Gazeta Shneta në artikullin e publikuar dje ka raportuar për pezullimin e licencës së spitalit “Sante Plus” bazuar në përgjigjen zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. “Pezullimi i licences spitalit Sante Plus i eshte bere per shkak se ne nderkohe (pasi licencimit dhe fillimit te punes), spitalit ju kane larguar disa kuadro mjekesore dhe mungesa e personelit eshte arsyeja pse ju ka pezulluar licenca e punës”, thuhet në këtë përgjigje. /Gazeta Shneta/