Deputeti i LDK-së, neurokirurgu i QKUK-së Haxhi Avdyli, në mbledhjen e fundit të Komisionit për Shëndetësi ku raporti ministri Uran Ismaili, propozoi që të gjendet një mënyrë për t’ua ndaluar mjekëve punën në spital publik dhe privat në të njëjtën kohë.
Sipas tij nuk mund të ketë reforma në shëndetësi nëse mjekët vazhdojnë të punojnë në spitale publike paradite e pasdite në spitale private, shkruan Gazeta Shneta.
“Nuk mundemi me këtë gjendje të shëndetësisë, me pas përmirësim nëse vazhdojna me punu në sektorin publik dhe privat në të njëjtën kohë. E di që shumë kolegë të mi kanë me më kritiku pse po e ngriti këtë çështje, sepse na prek të gjithëve në xhep”.
Por Avdyli nuk ka treguar nëse do të hiqte dorë nga ordinanca e tij private të cilën e ka të hapur në Prizren që nga viti 2014. Biznesi i tij quhet “Haxhi Avdyli B.I.”, ndërsa operon me emrin Ordinanca Specialistike “Spinal Center”.
Në Agjencinë për regjistrimin e bizneseve Avdyli nuk ka treguar se sa ka kapital ky biznes, por sipas deklarimit të pasurisë Avdyli përfiton 1 mijë euro në muaj nga kjo ordinancë. Të paktën kështu ka deklaruar ai vet në deklarimin e pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion gjatë vitit të kaluar.
Sipas kësaj deklarate, Avdyli merr pagë edhe dy mijë euro në muaj si deputet, ndërsa ka nën pronësi të përbashkët shtëpi në vlerë 200 mijë euro, banesë në vlerë 120 mijë euro dhe vilë malore në vlerë 50 mijë euro. Poashtu vozitë veturë në vlerë 5 mijë euro. Aktualisht Avdyli e ka të pezulluar punën në QKUK. /Gazeta Shneta/