Punëtorët e pastrimit dhe sigurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe në qendrat e mjekësisë familjare kanë protestuar sot kundër vendimit të Qeverisë për pagesat shtesë prej 300 eurove. Këta punëtorë kanë kërkuar të përfshihen në këtë vendim
Valoni, një punëtor sigurimi në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale, ka thënë se ata janë më të rrezikuar sepse kanë më shumë kontakt me palët sesa mjekët, shkruan Gazeta Shneta.
“Protesta është kundër vendimit të Qeverisë, jo kundër kompanisë, që nuk na kanë përfshirë në pako. Na kanë lënë të neglizhuar sepse ne jemi të parët që kemi kontakt me palët. Nëse përfitojnë doktorët, pse mos me përfitu edhe ne. Të gjithë jemi të rrezikuar. Kemi pas kontakte me palët më shumë sesa doktorët”, Valoni në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale.
Drita Haziraj, përfaqësuese e higjienistëve, ka thënë se vendimi i Qeverisë duhet t’i përfshijë edhe ata sepse mantelbardhët nuk mund të punojnë pa u pastruar sallat e repartet.
“Jemi të rrezikuar sepse asnjë mantilbardhë nuk hyn në sallë ose në repart pa e pastruar ne. Na kanë premtuar se kërkesat tona do të plotësohen, por asnjë klinikë nuk janë futur në pakon e Qeverisë sepse na kanë thënë se vendimi është vetëm për mantelbardhët, por edhe ne jemi të rrezikuar bashkë me ta”, ka deklaruar ajo.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, ka deklaruar se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre nga Qeveria.
“Sot kemi marr një shkresë nga kryeministri ku thuhet se listat duhet të përpilohen nga Ministria e Shëndetësisë, por çështja nuk ka përfunduar. Edhe zv.kryeministri Driton Selmanaj është pajtuar se është bërë gabim, por ky është vetëm një mendim i përbashkët e puna nuk është kryer”, ka deklaruar Azemi. /Gazeta Shneta/