Infermieret nuk kanë dhoma për nevoja të tyre sikurse i kanë mjekët. Ju tregoj se infermieret në gjysmë-intensivën e Kirurgjisë e ndajnë të njëjtën dhomë me pacientët që dalin nga salla e operacionit. Vetëm një dollap qëndron ndërmjet pacientit që po zgjohet nga anestezioni, dhe tavolinës ku ushqehen infermieret, e të cilat do të kujdesen për pacientin. Nëse nuk përmirësohen këto kushte, përfshirë edhe koeficientin për pagat, Kosova rrezikon të humbë mijëra profesionalistë të infermierisë
Analizë: Gazeta Shneta/Bujar Vitija
Në Kosovë llogaritet të jenë rreth 28 mijë infermierë, ku prej tyre mbi 14 mijë janë të punësuar në institucionet publike dhe private shëndetësore. Prej tyre ka infermierë me shkollë të mesme apo me bachellor. Të dy kategoritë janë target i vendeve evropiane që kanë mungesë të stafit të mesëm, sidomos shteti i Gjermanisë. E për t’u punësuar në këto vende, ka interesim të madh nga infermieret për shkak të pakënaqësive.
Janë të shumta arsyet pse infermierët kanë të drejt për pakënaqësitë e tyre me kushtet e punës në Kosovë. Infermierët mbajnë barrën më të madhe në trajtimin e pacientëve. Ata/ato duhet të kujdesen për të hospitalizuarit që nga pranimi e deri në lëshimin e tyre. Nga infermierja kërkohet që në të njëjtën kohë të kujdeset për pacientin dhe të përballet me shoqëruesit. Kjo përballje nuk është aspak e lehtë pasi shpesh ndodh të eskalojë në sharje apo edhe dhunë fizike sikurse ndodhi para një muaji në Spitalin e Mitrovicës. Por infermierët ndodh të mos kenë trajtim hiq më të mirë edhe nga mjekët. Këta të fundit në shumicën e rasteve infermierët i trajtojnë si “argat” të tyre, e jo si kolege dhe staf mjekësor. Madje ndodhë që mjekët t’ua japin infermierëve terapitë e pacientëve nëpërmjet telefonit. Kjo i vë në rrezik ata në rast të ndonjë gabimi profesional.
Infermierja duhet të merret me ‘qindra’ kërkesa të pacientëve, të kujdeset për higjienën e tyre, të kryej rolin e farmacistes, e ndonjëherë të bëj më shumë sesa që obligohet. Infermieret, ndonëse paguhen njëjtë, iu japin pacientëve terapitë nga më të lehtat deri në kimioterapi. Ato rrezatohen por nuk paguhen për rrezikun që e pësojnë. Në shumë raste ato duhet ta bëjnë këtë edhe në kushte të pafavorshme, sikurse janë shtatzëna apo me sëmundje të tjera. Në ndërrimet e natës një infermiere kujdeset për 20 pacientë të shtrirë në reparte për shkak të mungesës së stafit të mjaftueshëm. Ndërkaq atyre iu duhet të përdorin edhe forcën e tyre fizike për të transportuar pacientët e palëvizshëm, sikurse ndodhë në Pulmologji.
Infermieret nuk kanë dhoma për nevoja të tyre sikurse i kanë mjekët. Ju tregoj se infermieret në gjysmë-intensivën e Kirurgjisë e ndajnë të njëjtën dhomë me pacientët që dalin nga salla e operacionit. Vetëm një dollap qëndron ndërmjet pacientit që po zgjohet nga anestezioni, dhe tavolinës ku ushqehen infermieret e të cilat do të kujdesen për pacientin.
Infermieret nuk janë në pozitën e favorshme për të punuar edhe në institucionet private sikurse janë mjekët. Të ardhurat e vetme i kanë nga puna në spitalet publike dhe në shumë raste me ato rroga i mbajnë familjet e tyre. Në rolin e shumëfishtë që kanë, infermieret ndonjëherë nuk mund të jenë në funksionin e tyre të plotë të punës, e ndoshta as në humor. Por ato në raste të rralla ose fare janë subjekt i ndonjë skandali në shëndetësi.
Këto e shumë arsye të tjera duhet ta shtyjnë shtetin që të përmirësojë kushtet e punës për infermieret. Ndonëse aktualisht situata politike dhe institucionale është e paqartë në Kosovë, deputetët duhet të shqyrtojnë seriozisht edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për pagat duke rritur koeficientin për infermierët. Pas mjekëve, infermieret janë interes nacional që nuk duhet të lejojmë migrimin e tyre. Aq më pak që kjo të ndodhë për shkak të mos plotësimit të kërkesës për ngritje të koeficientit nga 2.2 në 3.2.
Kosova tashmë i ka hapur rrugë vendeve si Gjermania që të mbledhin ajkën e kësaj kategorie. Ministri kosovar Uran Ismaili dhe ai gjerman Jens Spahn, i shëndetësisë kanë nënshkruar një Deklaratë të përbashkët, e cila mundëson që Kosova edhe zyrtarisht ta ndihmojë Gjermaninë që të plotësojë nevojat e veta për staf të mesëm me infermierë nga vendi ynë. Shteti nuk mund t’ia ndalojë askujt që të punojë atje ku ka kushte më të mira, por nuk duhet të lejojë ikjen e infermierëve pikërisht për shkak të mungesës së kushteve në vendin e tyre. Aq më pak të mburremi për një marrëveshje me Gjermaninë, e cila synon të marr profesionistët më të mirë për nevoja të veta.