Psikologu Arbër Zeka ka thënë se nëse rritet vetëdija te konsumuesit e substancave narkotike, atëherë mund të luftohet ky fenomen.
Zeka tha se ideja e tij si psikolog është shërimi i problemit e jo të vrapohet pas tij, pasi tha se ai po rritet.
“Po flasim për heroinën, përdorimi i heroinës ka rënë por po përdoren tjera. Te përdoruesit e heroinës është rrit një vetëdije edhe më e madhe se çka do të thotë heroina”.
“Vetëdija që është rritur te përdoruesit e heroinës është se këdo që e pyet, e shohin si vrasëse. Nuk e shohin vrasëse kokainën dhe nuk e shohin hiç vrasëse marihuanën. Kështu që kjo është ajo vetëdija e personave që e përdorin, nëse arrijmë ta rrisim vetëdijen atëherë do ta luftojmë këtë fenomen”, tha Zeka në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se nëse vazhdohet të luftohen vetëm ata që shesin ose i prodhojnë substancat narkotike, shteti do të dështojë.
“Por nëse vazhdojmë t’i luftojmë vetëm atë që e shesin apo e prodhojnë këtë problematikë, atëherë do të dështojmë. Pra, duhet ta kemi një qasje ndryshe, pasi ne vazhdimisht kemi një qasje stigmatizuese ndaj përdoruesve të drogës. Nuk po them ta legalizojmë, por ta dekriminalizojmë”, tha ai.




