Zyra amerikane për Koordinim të Mbrojtjes në Kosovë i ka dhuruar sot Qendrës Emergjente të QKUK-së instrumente kirurgjike me vlerë prej 51 mijë dollarësh, të cilat do të lehtësojnë punën e shërbimit spitalor emergjent.
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Curr Gjocaj ka falënderuar Ambasadën Amerikane në Kosovë dhe Zyrën amerikane për Koordinim të Mbrojtjes në Kosovë për donacionin, duke thënë se ky është vetëm njëri nga disa donacionet e shumta që Ambasada amerikane u ka dhuruar klinikave të QKUK-së.Ndërsa shefi i sektorit politik në Ambasadën Amerikane, Stephen Banks, tha se përmes këtij programi për ndihmë humanitare janë blerë më shumë se 24 lloje të mjeteve kirurgjike, që do të plotësojnë nevojat e Qendrën emergjente të QKUK-së.
“Përmes këtij programi për ndihmë humanitare, i cili është I financuar nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë dhe bashkërenditet nga Zyra për Bashkëpunim të Mbrojtjes nga ambasada jonë, kemi blerë më shumë se 24 lloje të mjeteve të ndryshme kirurgjike, pothuajse 2 mijë copa në përgjithësi për nevojat e Qendrën emergjente të QKUK-së“, tha Banks.
Ndryshe, kjo zyrë viteve të kaluara ka dhuruar pajisjet në lavatoren qendrore, renovim të disa klinikave kirurgjike dhe klinikës infektive, në vlerë 2 milionë dollarë, pajisje mjekësore dhe set të çarçafëve dhe donacione të tjera të shumta. /KosovaPress/