Qeveria e Kosovës nuk është duke i trajtuar kërkesat e mjekëve në Kosovë. Sindikalistët thonë se protesta do të mbahet, ndërsa opozita i përkrah kërkesat e tyre
Bujar Vitija
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka paralajmëruar protestë për të mërkurën, me kërkesën për nivelizim dhe rritje të pagave prej 15 për qind në mënyrë linerare.
Blerim Syla, kryetar i FSSHK-së, ka thënë për Gazeta Shneta se nuk është kontaktuar fare nga Qeveria për kërkesat e tyre.
“Deri më tani nuk kemi asnjë kontakt me Qeverinë. Ne do ta mbajmë protestën të mërkurën nga ora 8 deri në 9”, ka thënë Syla.
Para pak ditësh grupi sindikalist ka mbajtur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili u tha se nuk mund të bëjë asgjë në lidhje me pagat, porse këtë kërkesë do ta diskutojë me kryeministrin Isa Mustafa. E Zyra e këtij të fundit, ka qenë e paqasshme për të marr një përgjigje nëse është duke i trajtuar kërkesat e mjekëve të cilët kanë paralajmëruar edhe bojkot të punës.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, do ta përkrah protestën e mjekëve. Ajo thotë se duhet të bëhet nivelizimi i pagave në bazë të profilit, performancës dhe punës.
“Nuk duhet të jetë njëjtë me marr rrogën një mjek që punon në salla të operacionit dhe një mjeku familjar, pa dashur me nënvlerësua askënd”, ka thënë Kadriaj.
“Duhet të ketë paga të dinjitetshme”, ka shtuar ajo.
Paga e një mjeku specialist në Kosovë është 630 euro. Ata paguhen edhe për orët e kujdestarisë.
Nga e hëna deri të enjten, kujdestaria paguhet 35 euro. Të premten 60 euro – të shtunën 100 euro dhe të dielën 70 euro. /Gazeta Shneta/