PAP Test është një ekzaminim mikroskopik i qelizave të marra nga qafa e mitrës ose vagina për të parë ndryshimet e tyre, ndryshime këto që mund të jenë nga infeksione më të ndryshmet e deri te kanceri i qafës së mitrës.
Një shërbim i tillë ofrohet tash e disa vite në Qendrën Kryesore Familjare në Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Patologjisë në QKUK.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, dr.Erzen Begolli, gjinekolog në QKMF tregon që nga viti 2016 kur ka filluar të ofrohet shërbimi i PAP testit, gjithsej janë kryer 7082 testime.
Ashtu siç tregon Begolli, fillimisht e gjitha ishte një pilot projekt, një bashkëpunim mes gjinekologëve dhe organeve kompetente, dhe pasi ky pilot projekt nuk dështoi, ofrimi i shërbimit të PAP testit në QKMF, QMF 5 dhe 6, vazhdoj të jetë një shërbim i rregullt.
“Që nga viti 2016 kur e kemi filluar për herë të parë planin për bërjen e PAP testit në shërbimin ambulantor kemi qenë pak skeptik. Kemi filluar vetëm si pilot-projekt, dhe e kemi pas kohëzgjatje vetëm tre muaj me numër afër dy mijë klientë dhe për fat të mirë nuk jemi dorëzuar dhe kemi filluar të ofrojmë këtë shërbim. Kemi katër gjinekolog që e bëjnë PAP testin, por ka edhe në qendrat e tjera të mjekësisë familjare, në QMF 5 dhe 6. Tek ne çdo ditë një gjinekolog është përgjegjës për kryerjën e PAP testit, pra një ditë, minimalishtë gjatë javës kemi 80 pacientë që bëjnë termin për PAP test, por prej tyre nuk është që vijnë të gjithë, diku vijnë 50-60 pacientë”, tha Begolli për Gazetën Shneta.
E sipas raportit të punës që nga fillimi i këtij viti, në periudhën janar-mars, jane kryer gjithësej, 320 testime vetëm në QKMF përkatësisht QMG.
Ndër të tjera, Begolli thekson se në praktikën e tij të punës, kanceri i qafës së mitrës nuk është edhe aq i shpeshtë.
“Për fat të mirë kam një përshtypje që në Kosovë ky numër nuk është aq i lartë, arsyja pse nuk është kaq i lartë ndoshta është edhe kontributi ynë me kryerjën e PAP testit, e cila ofrohet në shumë shërbime ambulantore, është falas dhe i paraprinë njohjës së shpejtë të ndonjë rreziku të mundshëm”, tha ai.
Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet në pjesën e mitrës e cila quhet cerviks, si i tillë ai zhvillohet shumë ngadalë dhe për një kohë te gjatë mund të mbetet i pa zbuluar, meqenëse në fazën fillestare rrallëherë ka shënja të sëmundjes. Kjo bënë të mundur që çdo grua ta zbulojë me kohë kancerin nëse kontrollohet, rregullisht.
E, sipas gjinekologut Begolli, të gjitha femrat nga mosha 21 vjeçe duhet që të kryejnë PAP testin rregullisht, në periudha kohore çdo dy vjet.
Tutje, ai tregon se shkaktarët që favorizojnë apo që janë përgjegjës për kancerin e qafës së mitrës, jane dy tipe të virusit të papilomës humane, tipet HPV-16 dhe HPV-18.
“Këto dy tipe të virusit janë më të shpeshtat që shkaktojnë krijimin e kancerit të qafës së mitrës, dhe këta dy virus bartën me mardhënie. Në shtetet e tjera në botë madje bëhet vaksinimi i të rinjëve nga ky virus që nga mosha 11 vjeçare, por në Kosovë nuk bëhet pasi ka një kostë të lartë”, shtoi ai.
Kujtojmë që PAP testi si ekzaminim mjekësor, ofrohet falas në QKMF që nga 13 korriku i vitit 2016.
Sipas një raporti nga QKMF, frekuenca e përshtatshme për PAP Test varet nga mosha dhe aktiviteti seksual. Kolegji Amerikan i Obstetër Gjinekologëve (ACOG) rishikoi udhëzimet e vitit 2009 për të rekomanduar që ekzaminimi me Pap test të fillojë jo më herët se mosha 21 dhe pastaj do të kryhet çdo dy vjet deri në moshën 29 vjeç.
Kurse testimi më i shpeshtë sipas tyre duhet të jetë në rast se pacienti ka ose ka pasur HIV, nëna e gruas ka përdorur DES (diethylstilbestrol) kur ishte shtatëzëne me të, ka pasur trajtim të mëparshëm për kancer apo situate të quajtur neoplazi intraepiteliale të qafës së mitrës : 2 ose 3 (CIN 2, CIN 3, apo kur një grua ka partnerë seksualë të shumtë , është shtatëzënë, ka hemorragji vaginale jo normale, dhimbje ose kruarje./Gazeta Shneta