Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, për tri vite me radhë ka shpërblyer me orë dore punëtorët e pensionuar.
Për tri vite me radhë, QKMF-ja është furnizuar me këto orë nga kompania e njëjtë, shkruan Gazeta Shneta.
Në vitin 2015 janë blerë orë dore në vlerë 1100 euro nga kompania “NTP ORA” në Prishtinë.
QKMF-ja i ka dhënë tenderin kësaj kompanie edhe dy vite më vonë. Vitin e kaluar 16 punëtorë janë shpërblyer me orë nga kontrata me të njëjtën kompani për 992 euro.
Tradita ka vazhduar edhe sivjet me shpërblimin e orëve dhe me kompaninë e njëjtë. “NTP ORA” ka përfituar tender nga QKMF-ja në vlerë 997.50 euro për 19 orë që do t’iu dhurohen punonjësve të pensionuar.
Rrezart Halili, drejtor në QKMF, thotë se këto shpërblime u jepen punëtorëve në shenjë mirënjohje për kontributin e tyre.
“Njerëzit dalin në pension dhe për çdo vjet ne iu blejmë ora atyre dhe iu japim mirënjohje për kontributin e tyre”, ka deklaruar Halili.
Ai thotë se orët e blera janë me çmimin më të ulët të mundëshëm. E një orë me këtë kontratë kushton mbi 50 euro.
“Ne nuk kemi pare shumë dhe orët i blejmë me çmimin më të lirë në vlerë deri 1 mijë euro”, është shprehur Halili.
Ai tha se orët do t’ju dhurohen punëtorëve që kanë dal në pension përgjatë vitit 2017. /Gazeta Shneta/