Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka përmirësuar konkursin për psikologët klinikë, pas ankesave të kandidatëve dhe interesimit të Gazetës Shneta. Në konkurs tanimë do të kenë mundësi të aplikojnë edhe specialistët e kësaj lëmie, ndërkaq koeficienti ka mbetur i njëjtë.
QKUK muajin e kaluar publikoi një konkurs për dy pozita të lira për psikologë klinik, ku kriteri i shkollimit ishte vendosur vetëm fakulteti i psikologjisë, ndërkohë që ky institucion ka nxjerrë më herët specialistë të psikologjisë klinike. Për këtë konkurs pati fillimisht ankesa në rrjetet sociale, ndërsa grupi i specialistëve ushtroi ankesë edhe në Inspektoratin e Punës dhe në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
“Konkursi përmban shkelje në kushtet e parashtruara për rekrutimin dhe në koeficientin e pagës së paraparë. Konkursi kërkon vetëm shkollim bazik universitar në fushën e psikologjisë, duke paraqitur kushte të pamjaftueshme të përgatitjes profesionale për rekrutimin e profileve më të larta, të aftësuara për aplikimin e këtij profesioni, siç janë Specialistet e Psikologjisë Klinike”, thuhet në reagimin e grupit të specialistëve.
Ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre edhe me koeficientin i cili nuk është në nivel me specialistët tjerë. “Për më tepër, konkursi parashtron koeficient page të zhvlerësuar, në raport me profesionistët tjerë të shëndetit mendor që janë punësuar gjatë vitit 2018 në SHSKUK”, thuhet në reagim.
Gazeta Shneta ka kërkuar sqarime nga QKUK para disa ditësh në lidhje me këtë problem, dhe gjatë ditës së djeshme ky institucion ka konfirmuar se konkursi është përmirësuar sa i përket kritereve të konkurrimit, por koeficienti ka mbetur i njëjtë 7.2.
“Kriteret e konkursit për psikolog klinik janë kërkuar në konkurs publik sipas nevojave të shërbimeve përkatëse, pa anashkaluar bazën ligjore, por në pajtim me nevojat e shërbimit. Në bazë të kërkesave për plotësim të konkursit, konkursi është plotësuar, përveç që kanë të drejtë të konkurrojnë psikologët klinik, kanë të drejtë të aplikojnë edhe specialistët-psikologë klinik”.
“Koeficienti nuk është ndryshuar për shkak të implikimeve buxhetore, duke pasur parasysh edhe Ligjin e Pagave që fillon të zbatohet në dhjetor të këtij viti dhe ky koeficient do të nivelizohet pasi të filloj zbatimi i këtij Ligji”, thuhet në sqarimin e QKUK-së. /Gazeta Shneta/